Në vendin ku 19 vjet më parë është zhvilluar njëra nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë mbledhur qindra qytetarë, nga e gjithë Kosova.

Ata bashkë edhe me krerët më të lartë të shtetit u mblodhën në Koshare, për ta përkutjuar Betejën e lavdishme të Koshares në të cilën ranë 109 dëshmorë.

Fillimisht u mbajtën homazhe dhe u vendosën kurora me lule pranë varreve të dëshmoreve ndërsa për nder të këtij përvjetori u mbajt edhe një tubim i cili tashmë e ka emrin tradicional “Ditët e Shqipes”.

Kryeministri i Kosovës nën patronatin e së cilit mbahet ky manifestim ka kujtuar thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar duke thënë se kjo betejë paraqet unitetin e luftëtarëve që dhanë çdo gjë për t’i dhënë paqen vendit, pa pyetur për çmimin.

Beteja e Koshares, sipas kryeministrit, Ramush Haradinaj  është dëshmi e trimërisë së papërsëritshme të heronjve dhe Kosova duhet të krenohet me ta, teksa theksoi se ka filluar mijëvjeçari i ri i shqiptarëve.

Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke vlerësuar lart veprën dhe rënien e dëshmorëve, tha se Kosova ka fituar pavarësinë dhe shtetësinë e saj fal rënies së dëshmorëve të kombit siç janë Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe dëshmorët e tjerë të rënë në Koshare.

Sipas presidentit kjo betejë shembi piramidën dhe gurin që ndante tokat shqiptare.

Presidenti foli edhe për kërcënimet që sipas tij po vijnë nga Serbia, me ç’rast tha se Kosova gjithmonë do të përgjigjet për të larguar çdo kërcënim që i vjen.

Thaçi përmendi edhe ndihmën e shteteve mike të Kosovës, duke thënë se Kosova në çdo kohë do të jetë mirënjohëse ndaj shteteve mike që e përkrahën edhe në fazën e konsolidimit të brendshëm edhe të afirmimit ndërkombëtar.

Po ashtu, kryeministri kërkoi mbështetjen e shteteve mike që të mbështesin Kosovën në rrugën e saj si shtet i pavarur.

Ndërsa, në emër të ‘Brigadës 138” e cila vepronte nën komandën e heroit Agim Ramadani e pas rënies nën komandën e tij, Rrustem Berisha, tha se ndjehet krenar për gjithë ata djem e vajza që me kontributin e tyre kolosal, ishin thelbi i Betejës së Koshares.

Kësaj beteje, Berisha tha se i ndihmoi  edhe NATO, derisa siguroi se bijtë e Kosovës gjithmonë do të kujdesen për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Duke kujtuar rëndësinë e kësaj beteje, Berisha shfrytëzoi rastin për të bërë apel që statusi i veteranit t’i takojë gjithsecilit që i është bashkuar UÇK-së, duke theksuar se është e pamundur të kujtosh betejën e Koshares pa kujtuar edhe bashkëluftëtarët e tyre që luftuan për ta fituar lirinë.

Ai tha se çdo individ që luftoi me emblemën e UÇĶ-së meriton statusin e veteranit, ndërsa invalidët e luftës duhet që sa më parë të përfshihen në skemën e pensioneve.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe zëvendëskryeministri , Behgjet Pacolli, i cili tha nderimi më i mirë për dëshmorët është që të punohet drejt realizimit të ëndrrës së tyre, e që është një Kosovë e lirë dhe dinjitoze.

Në emër të familjeve të dëshmorëve të Koshares  para të pranishmëve foli Visar Hasaj  me ç’rast bëri thirrje për punë të dinjitetshme në mënyrë që amaneti i të rënëve për liri të çohet në vend.

Manifestimi “Ditët e Shqipes” do të vazhdojë edhe ditët në vazhdim ku të mërkurën në prishtinë do të mbahet akademi përkujtimore në nderim të rënies së komandantit Agim Ramadani.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. Në Koshare kanë rënë qindra dëshmorë nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe nga shtetet e Evropës si Italia, Franca, etj. /KosovaPress/