Të gjithë ne kalojmë nëpër kohë të vështira. Dhe të gjithë i kemi lënë pas ato. Megjithatë, është fakt se disa njerëz janë më të mirë në ballafaqimin me sfidat e jetës, se të tjerët. Cili është sekreti i tyre? Dr. Carol Morgan, një lektore universiteti, beson se e gjitha varet nga qasja jonë ndaj asaj që po ndodh rreth nesh. Ajo ofron 13 këshilla me vlerë për kohë të vështira.

1. Ajo që është, është

Një thënie e njohur budiste thotë:” Rezistenca juaj ndaj “asaj që është” qëndron në rrënjë të vuajtjes tuaj. Mendoni për këtë gjë për një minutë. Do të thotë se ne vuajmë, vetëm nëse refuzojmë të pranojmë gjërat ashtu si janë. Në qoftë se ju mund të ndryshoni diçka, bëjeni. Por në qoftë se nuk ka asgjë që mund të bëni, atëherë keni vetëm dy opsione: të pranoni situatën dhe të hiqni dorë nga ndjenjat tuaja negative, ose të zhyteni në vuajtje, ndoshta për një kohë shumë të gjatë.

2. Një problem është problem, vetëm kur ju e mendoni si të tillë

Shpesh herë ne bëhemi armiqtë më të këqinj të vetvetes. Të jesh i lumtur, në të vërtetë është një çështje këndvështrimi. Nëse ju e ktheni diçka në problem, do të jeni të mbushur plot me mendime dhe emocione negative. Por në qoftë se mendoni për mësimet që mund të nxirrni nga situata ku ndodheni, papritmas do të ndjeheni sikur nuk ka fare problem.

3. Nëse doni që të ndryshoni gjërat, filloni duke ndryshuar veten

Bota me të cilën përballeni së jashtmi, shpesh pasqyron ndjenjat dhe qëndrimet brenda jush. Ju ndoshta njihni njerëz, jeta e të cilëve duket e zhytur në kaos dhe stres. A mendoni vërtetë se kjo ka ndodhur krejt rastësisht? Ne priremi të mendojmë se është ndryshimi i rrethanave, që ka ndikim mbi ne. Në fakt, është e kundërta. Kur bëjmë ndryshime në veten tonë, edhe rrethanat tona ndryshojnë.

4. Nuk ekziston dështimi. Gjithçka që ndodh, ofron një mundësi për të mësuar diçka të re

Është koha që të hiqni fjalën “dështim” nga fjalori juaj. Gjatë gjithë historisë, ata që kanë arritur gjëra të mëdha, kanë dështuar disa herë, para se t’ia dalin mbanë. Thomas Edison ka thënë: “Unë nuk e kam përjetuar kurrë dështimin, kur përpiqesha të shpikja llambën. Thjeshtë gjeta 99 mënyra të ndryshme se si nuk punonte”. Mësoni diçka nga të ashtuquajturat dështime.

5. Nëse nuk morët atë që deshët, do të thotë se një gjë më e mirë po vjen rrugës

E di që ndonjëherë duket e vështirë për t’u besuar. Por është e vërtetë. Nëse hidhni sytë pas në cilëndo periudhë të jetës suaj, me shumë gjasë do të jeni në gjendje të shihni që gjërat e mira kanë ndodhur, vetëm pasi dicka nuk shkoi sipas planit. Ndoshta puna që nuk fitove të bëri të mundur të rrish me familjen. Ndoshta ishte një gjë tjetër – por është gjithmonë e njëjta gjë. Thjeshtë besoni që cdo gjë ndodh për një arsye.

6. Vlerësoni të tashmen

Çdo moment i jetës suaj është i çmuar, dhe  kurrë nuk do të keni një shans për ta përjetuar përsëri. Kështu që, mos e lini t’ju ikë. Në fund, gjithë sa do ju mbetet janë kujtimet tuaja. Ndoshta një ditë edhe ju do të ndjeni nostalgji për ato momente, që kur ndodhën, nuk ju dukeshin dëfryese fare.

7. lërini dëshirat

Shumica e njerëzve jetojnë përditë me atë që psikologët e quajnë “mendja e ngjitur”. Kjo do të thotë që ata i ngjisin një domethënie të madhe arritjes së dëshirave, dhe kur nuk marrin atë që duan, pushtohen nga mendime negative. Eshtë shumë më mirë të keni një mendje “jo të ngjitur”. Kjo është aftësia për të qenë të lumtur, pavarësisht nëse e merrni apo jo atë që doni. Në këtë rast, gjendja emocionale e një njeriu është ose neutrale, ose pozitive – por asnjëherë negative.

8. Kuptoni frikërat tuaja, dhe jini mirënjohës për to

Frika mund të jetë një mësues i mrekullueshëm. Kapërcimi i frikës suaj, shpesh ju sjell më afër fitores. Kur isha në universitet, për shembull, frikësohesha shumë nga të folurit në publik. Kjo është arsyeja pse zbavitem shumë që sot, jo vetëm flas përpara grupeve të mëdha të njerëzve çdo ditë në punën time si lektore, por edhe mësoj njerëzit e tjerë se si të jenë edhe ata vetë, folës publikë të mirë. Për të kapërcyer frikën tuaj, ju duhet vetëm praktikë. Frika është një iluzion.

9. Lejoni vetes që të përjetojë gëzim

E besoni apo jo, unë njoh shumë e shumë njerëz, të cilët kurrë nuk e lënë veten të argëtohen. Ata as nuk e dinë se si të jenë të lumtur. Disa prej tyre janë kaq të fiksuar pas problemeve të tyre, dhe të kontrolluar nga proceset kaotike të të menduarit, sa që as nuk e kanë idenë, se kush janë në të vërtetë pa këto gjëra. Mundohuni t’i lejoni vetes pak argëtim herë pas here. Ndoshta nuk do të jetë për shumë kohë, por është shumë e rëndësishme që vëmendja juaj të përqëndrohet tek gëzimi dhe jo tek hallet.

10. Mos e krahasoni veten me të tjerët

Nëse ju duhet të krahasoni veten me dikë, atëherë duhet ta bëni vetëm me njerëz që janë më keq se ju. Pa punë? Atëherë jini mirënjohës që keni diçka për të jetuar në ndërkohë. Shumica e njerëzve në botë nuk kanë absolutisht asgjë. Në depresion prej pamjes? Shumica e njerëzve nuk janë supermodele. Dhe shanset janë që me siguri të jeni më tërheqës se shumë të tjerë. Përqëndrohuni tek kjo gjë.

11. Ju nuk jeni një viktimë

Ju jeni viktimë, vetëm e mendimeve, fjalëve dhe veprimeve tuaja. Askush nuk e ka mendjen t’ju vërë poshtë: ju jeni përgjegjës për përvojat tuaja. Merrni pak përgjegjësi personale dhe kuptoni që mund të kapërcyer çdo vështirësi që ju del para. Filloni duke përshtatur mendimet tuaja dhe mënyrën se si veproni. Flakeni mentalitetin e viktimës, dhe bëhuni fitues.

12. Gjithçka mund – dhe do të – ndryshojë

“Edhe kjo do të kalojë” është një nga shprehjet e mia të preferuara. Kur ne jemi të mbërthyer në një situatë të keqe, duket sikur nuk ka asnjë rrugëdalje. Duket sikur asgjë nuk do të ndryshojë kurrë. Por e dini se çfarë? Asgjë nuk zgjat përgjithmonë! Kështu që hidheni tutje zakonin e të menduarit që keni ngecur në një ulluk, sepse nuk është kështu. Por – dhe kjo është po aq e rëndësishme – duhet të veproni, për të ndryshuar situatën; ajo nuk zgjidhet vetë me magji.

13. Çdo gjë është e mundur

Mrekullitë ndodhin çdo ditë. Mjerisht, unë nuk mund të përshkruaj të gjitha gjërat e mrekullueshme që u kanë ndodhur të njerëzve të ndryshëm që kam njohur gjatë viteve, nga mposhtja e kancerit, deri tek takimi i dashurisë së jetës së tyre. Këto lloj gjërash kanë ndodhur jo vetëm në rrethin tim të miqve, natyrisht; këto ndodhin gjatë gjithë kohës. Mund të jetë e vështirë të besohet, nëse nuk po ndodh me ju, por ka kaq shumë gjëra pozitive që ndodhin për njerëzit e zakonshëm. Një ditë, kur të kuptoni të vërtetën e kësaj, do të jeni në gjendje të fitoni betejat tuaja. /Në shqip nga www.bota.al