I ëndërruar nga vizionarë të Rilindjes si kryeqyteti i Shqipërisë së 4 vilajeteve, Manastiri ishte sheshi i ngjarjeve të mëdha historike: prej plojës së llahtarshme të masakrës së bejlerëve shqiptarë e deri te Kongresi i Alfabetit

Në rrafshulëtën e pamatë të Pellagonisë shtrihet qyteti i Manastirit. Bri maleve të Pelisterit, ku dikur Gjon Muzaka vendoste kufirin mes Arbërisë dhe Bullgarisë, frymon qyteti i Manastirit.

Si qyteti i dytë më i madh në Maqedoni, Manastiri ka sqimën e një qendre me nam, me një histori të veçantë në një udhëkryq të zhurmshëm pikëtakimesh, jo larg kufirit me Greqinë.

I ëndërruar nga vizionarë të Rilindjes si kryeqyteti i Shqipërisë së 4 vilajeteve, Manastiri ishte sheshi i ngjarjeve të mëdha historike: prej plojës së llahtarshme të masakrës së bejlerëve shqiptarë e deri te Kongresi i Alfabetit.

Qyteti i fantazmave

Numri i shqiptarëve vendës është pakësuar përtej çdo përfytyrimi. Fshatra të tëra janë zbrazur qysh prej viteve ‘70, kur shqiptarët mërguan në Amerikë e një pjesë jo e vogël edhe në Turqi.

NËSE E MARRIM TË MIRËQENË REGJISTRIMIN E VITIT 2002, NË MANASTIR ZYRTARISHT 2561 PERSONA E DEKLARUAN SHQIPEN SI GJUHËN E TYRE AMTARE, NDËRKAQ 2522 U DEKLARUAN SI SHQIPTARË QË I BIE TË JETË KOMUNITETI I DYTË NË KOMUNË.

Së kjo shifër mund të jetë të paktën dyfish më e madhe mund të merret me mend edhe nga fakti që në të njëjtin regjistrim,  7043 persona u deklaruan me përkatësi fetare myslimane.

Drama e fundit tragjike për shqiptarët është ende e freskët. Gjatë luftës së fundit në Maqedoni, turma të egërsuara maqedonasish dogjën dhjetëra dyqane e prona shqiptarësh në sheshin kryesor të qytetit. Këto tmerre bën që një numër jo i vogël shqiptarësh të lëshonin qytetin për shkaqe sigurie.

Ku ndodhen fshatrat shqiptare në Manastir?

Sidoqoftë, në rrethinën malore të qytetit frymojnë një zinxhir fshatrash shqiptare. Ngjitur në kufirin me Greqinë shtrihen Kishavë, Graeshnicë, Llazhec dhe Mexhitli, të gjitha me shumicë shqiptare. Edhe pika e fundit kufitare me Greqinë, ku ndodhet stacioni hekurudhor, fshati Kremenicë është shqiptar.

Tutje në vargmalin e Pelisterit ndodhen fshatrat Zllakuqan, Ostrec dhe Xhinxhopolë. Shqiptarë të asimiluar të Xhinxhopolës në biseda private për Konica.al pranojnë se shqipen e kanë folur deri vonë ose vazhdojnë të flasin në mjedise familjare.

Banorë shqiptarë gjenden edhe në Velushinë dhe Zhabjan. Në veri të qytetit ndodhet edhe një bashkë katundesh shqiptare që fqinjërojnë njëra me tjetrën: Dihovë, Bratin Dol dhe Snegovë. Në krahun veriperëndimor të komunës ndodhet edhe një bashkësi fshatrash të banuara me shqiptarë si Lera, Kazhani dhe Dollenci.

Fshati malor i Drevnikut, në të cilin mendohet se ndodhej kështjella e Sfetigradit si plasdarmi më lindor i shtetit të Skenderbeut, sot thuajse nuk figuron as si strukturë banimi meqë aty kanë mbetur vetëm dy familje shqiptare.

Një komunë e re për shqiptarët?

Partia shqiptare në pushtet, BDI, nuk ka zëruar asnjëherë kërkesën që fshatrat shqiptare që ndodhen afër njëra tjetrës të riorganizohen territorialisht në një komunë të re rurale, e cila do t’i bënte shërbimet komunale më të afërta dhe më efektive.

Precedenti për këtë nuk është se nuk ekziston. Në kuadër të një politike të mirëmenduar, VMRO-DPMNE ka krijuar një komunë në vete për fshatin Vevçan, i vetmi me maqedonas që ndodhet në Strugë.

Autori: Salih Mehmeti / Konica.al /