Në gusht të vitit 1936, Ioannis Metaxas vendosi diktaturën fashiste. Viktima e parë e tij ishte popullsia shqiptare në Çamëri, zhdukja e tyre, madje edhe përmes konflikteve mes çamëve myslimanë dhe atyre ortodoksë. Ndaj kësaj reagoi Kristo Pituli, përfaqësues i njërës prej familjeve më të njohura ortodokse të Çamërisë, i cili në shenjë proteste kundër vendimit të Qeverisë shkoi në fshatin Grikohor, pranë miqve të tij myslimanë.

Studiuesja Alba Haruni thotë se ka fakte në arkivat greke, se që atëherë ishte ngritur si problem Çështja Çame, diçka që e mohon sot Greqia. Kështu, në një dokument thuhet: “I lutemi kryetarit të Qeverisë t’i mbrojë këta bashkatdhetarë, vëllezërit tanë, me të cilët na ndan vetëm feja, po na bashkojnë po ato zakone të njëjta, e kaluara dhe e njëjta histori. Nuk duhet të harrojmë, se edhe ato kanë të drejta në shtetin grek” (Arkiva Greke, deputeti Jorgios Sp. Sakas. Në gazetën e pavarur politiko-letrare “Kravji”, dt. 8 korrik 1936). Apo: “Çamët janë njerëz të ndershëm, shtetas besnikë të mbretit Kostandin dhe miq të shtetit grek” (Arkiva Greke, Kristo Vasili, deputeti i Janinës. Në gazetën “Elefteria”, nr. 102, Janinë, 30 prill 1936).

Popullsisë çame i ndalohej gjuha shqipe, iu ngarkuan taksat e rënda, i vranë, i shpërngulën në Shqipëri e në Turqi. Grekët ndryshuan emrat shqiptarë të fshatrave Spathar, Galbaq, Picar, Varfanj, Arpicë me emra grekë, si Trikoforos, Elea, Aetos, Parapotamos, Perdhika etj. Po ashtu, u kolonizuan tokat e shqiptarëve të Çamërisë.

sulltan-e1482776280135

Fatkeqësisht, u bënë 80 vite që kush nuk e trajton si duhet këtë problem dhe pasurinë e shqiptarëve në Greqi. Madje, Greqia nuk e shfuqizon Ligjin e Luftës me Shqipërisë, pikërisht për të shmangur kthimin e pronave të konfiskuara. Më 2016, një lajm i mirë për çamët erdhi nga Brukseli, e këtë çështje merr pak guxim ta ngre edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Situatë e njëjtë si me shqiptarët e Çamërisë ishte edhe me ata të Kosovës. Shqiptarët shpërnguleshin dhunshëm për në Turqi e Shqipëri. Ndërkaq, në tokat e tyre zbatohej ligji i kolonizimit i 11 qershorit 1931. Nga viti 1936 rinis marrja e tokave të shqiptarëve, në zonat kufitare, duke ua lënë veç 0.4 hektar për familje.

john-foster-fraser

Në vitin 1936 vdiq John Foster Fraser, skocezi që shëtiti botën biçikletë. Në librin “Pictures from the Balkans” thotë se shqiptarët mund të ndahen si skocezët në fise (në veri), ndërkaq sikurse skocezët që lidhen me njëri-tjetrin nga urrejtja për anglezët, edhe shqiptarët i bashkon urrejtja që kanë për sllavët.

“Fiset e Shqipërisë nuk kanë një fe të përbashkët. Disa janë të besimit mysliman dhe disa të krishterë. Brenda fisit mund të gjenden që të dy besimet”, ka thënë ai.

Në vitin 1936 (26 mars), vdiq edhe mbreti Fuadi i I-rë, sundimtari i Egjiptit, Sudanit, Nubisë, Kordofanit dhe Darfurit, trashëgimtari i nëntë i dinastisë që nisi me shqiptarin Muhamed Aliu. Thuhet, por nuk është e sigurt, se ai nuk fliste arabisht, por italisht, turqisht dhe shqip.

fuad-e1482776391469

Shqipëria më 1936 për herë të parë merr pjesë Lojërat Olimpike të Berlinit. Kosova do të marrë pjesë Lojërat Olimpike Verore 2016, në Rio të Brazilit, ku xhudistja Majlinda Kelmendi fiton medaljen e artë. Një fillim i mbarë për sportin e Kosovës, i cili sivjet ka marrë pjesë edhe në garat eliminatore për Botërorin 2018.

Në vitin 1936 me Shqipërinë sundonte Ahmet Zogu, si mbret. Kryeministër deri më 9 nëntor ishte Mehdi Bej Frashëri, e nga kjo ditë Koço Kota.

Më 2 nëntor 1936, BBC nis shërbimin televiziv. Ndërkaq më 5 dhjetor, me Kushtetutën e Bashkimit Sovjetik të imponuar nga Stalini, shpërbëhet Republika Transkaukaziane. Me këtë rast, Armenia, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia bëhen republika. Këto tri shtete ende kanë probleme me njëra-tjetrën!

Viti 1936 është viti kur lindin emra me peshë për shqiptarët. Më 28 janar, në Gjirokastër u lind shkrimtari i madh, Ismail Kadare. Më 26 shkurt, në Prishtinë u lind veprimtari Adem Demaçi, ndërkaq më 13 mars, në Prizren u lind studiuesi Zef Mirdita.

Më 1936 lindën nobelistët Mario Vargas Llosa dhe disidenti dhe lideri i Çekosllovakisë e Çekisë demokratike, Václav Havel. Këtë vit lindi edhe Papa Françesku dhe aktori Burt Reynolds, aktorja e bukur Ursula Andress, këngëtari Roy Orbison, aktori Dennis Lee Hopper, aktori dhe këngëtari Kris Kristofferson, aktori Robert Redford, muzikanti William George Perks…

Në këtë vit u lind edhe John Sidney McCain III, ish-kandidat republikan në zgjedhjet presidenciale të 2012, një mik i madh Kosovës.

Ndërkaq, do të lind edhe Zine El Abidine Ben Ali, president i Tunizisë në vitet 1987-2011. Në vitin 2011,  kryengritja e popullit për ta përmbysur do të shënojë atë që në botë do të njihet si “Pranvera Arabe”, revolucioni i përgjakshëm i popujve arabë pasojat më të mëdha të së cilës po i vuajnë ende civilët e Sirisë.

 

 

burimi: Telegraf


* Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim paraqesin mendimet dhe të drejtat e autorit, nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë së Manastiri Lajm.