196 deputetë dhe senatorë demokratë të Kongresit paditën sot Presidentin amerikan, Donald Trump duke e akuzuar se ka përfituar nga funksioni i tij për të mbledhur përfitime materiale të ardhura nga jashtë vendit.
Kjo është padia e dytë e depozituar në gjykatë këtë javë mbi këtë çështje kundër presidentit amerikan.

Shteti i Merilendit dhe kryeqyteti Uashington kishin bërë të njëjtën gjë të hënën duke e akuzuar se kishte pranuar pagesa nga qeveri jashtë vendit nëpërmjet perandorisë së tij imobiliare.

Këtë herë 30 senatorë dhe 166 deputetë të Dhomës së Përfaqësuesve, të gjithë demokratë, i janë bashkuar.

Këto akuza juridike bazohen mbi klauzolën e shpërblimeve, një dispozitë e Kushtetutës amerikane që ndalon çdo person që mban funksione publike të marrë dhurata, shpërblime, funksione apo tituj të çdo natyre nga një mbret, princ apo çdo shteti i huaj pa miratimin e Kongresit.