Enver Hoxha inicion Revolucionin Ideologjik dhe Kulturor, sipas modelit kinez. Por, në fakt këtu asgjë nuk kishte të bënte me kulturë, pos me terror. Sidomos në Kinë, ku për 10 vite vriten 1.5 milionë njerëz, e shumë të tjerë torturohen.

Por, Hoxha rreshtohej pas Kinës, nga e cila përfitonte edhe ndihma të mëdha financiare dhe në ushqim. Një dashuri e madhe shqiptaro-kineze po lulëzonte, aq e madhe sa që lideri kinez, Mao Zedong, më 3 nëntor mbajti një fjalim të “fuqishëm” me të cilin i tregoi botës se për Shqipërinë ishte në gjendje të luftonte me secilin.

mao-zedong

“Shqipëria është i vetmi shtet marksist-leninist në Evropë dhe një sulm ndaj Shqipërinë do të duhej të marrë parasysh Kinën e madhe. Nëse imperialistët amerikanë, revizionistët modernë sovjetikë apo ndonjë prej lakejve të tyre guxon të prek veç pak Shqipërinë, ata do t’i presë një disfatë e plotë, e turpshme dhe e paharrueshme”, ka thënë Mao.

Ndoshta i “trimëruar” nga vëllai Mao, thuhet se më 19 shtator 1966, Enver Hoxha mbajti këtë fjalim: “Kosova e viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, pjesë të Shqipërisë, u shkëputën nga mëma e tyre prej fuqive imperialiste dhe iu dhanë Mbretërisë serbe. Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë. Xhelatët serbomëdhenj bënë kërdinë mbi shqiptarët, për t’i shfarosur krejtësisht. Shqiptarët rezistuan heroikisht dhe gjenocidi i praktikuar nga shovinistët serbo-malazezë nuk u dha rezultatet që ata pritnin”!?

Në Jugosllavi mbahet Plenumi IV i KQ të LKJ-së (i njohur si Plenumi i Brioneve) në të cilin dënohet dhuna dhe terrori i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror mbi popullin shqiptar. Nënkryetari i Jugosllavisë, Aleksandar Rankoviqi, me një numër bashkëpunëtorësh shkarkohet prej pozitave politike dhe shtetërore për shkak të veprimtarisë së atij Shërbimi. Me largimin e tij, shqiptarët e Kosovës marrin frymë më lirshëm dhe nisin të avancojnë të drejtat dhe statusin e tyre nacional

Mediat serbe, duke u cituar arkivin e TItos, kanë shkruar se Fadil Hoxha, menjëherë pas rënies së Rankoviqit, kishte kërkuar që emrit të Kosovës t’i hiqet Metohija, gjë që ka ndodhur, dhe se Kosova duhet të sjell ligjet e saj, përfshirë Gjykatën Supreme. Pra, të jetë e barabartë me njësitë tjera të Jugosllavisë. Ndërsa, historiani serb, Millosh Mishoviq, në librin e tij “Ko je trazio republiku: Kosovo 1945-1985” (Kush e kërkoi Republikën: Kosova 1945-1985), ka shkruar se më 22 prill 1968, në mbledhjen e Kryesisë së Komisionit Ekzekutiv të Kosovës, Fadil Hoxha kërkonte: “Flamuri i Kosovës nuk duhet të jetë një flamur i trilluar… Në Kosovë shumica janë shqiptarë dhe flamuri duhet të jetë shqiptar”. “Hoxha”, thuhet po aty, “kërkoi që Kosova të ketë flamurin zyrtar, stemën dhe festën e vetë shtetërore. Këtu është kërkuar Kosova Republikë”.

Për Fadil Hoxhën ka kritika të mëdha, sidomos për rolin e tij gjatë shuarjes së rezistencës në Drenicë. Respektin më të madh për të – dhe perceptimin se ishte i pagabueshëm – e kanë kryesisht gjakovarët, të cilët në krah të tij u bënë komunistë të devotshëm e nisën ta “sundojnë” Kosovën – politikisht dhe ekonomikisht. Sidoqoftë, në rrethanat në të cilat ka jetuar e vepruar, në një sistem monist e në një shtet të fuqishëm e armiqësor siç ishte Jugosllavia e Titos, Fadil Hoxha ka luftuar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, për përparimin e tyre, e madje ka guxuar ta përmendte bashkimin me Shqipërinë. Kështu, Milan Vuçiniq, në librin e tij “Zašto Kosovo ne može da bude republika” (Pse Kosova nuk mund të jetë republikë), thotë se Fadil Hoxha më 1958 kishte thënë: “Me qenë se është shumica në Kosovë janë shqiptarë, gjithsesi se kjo do të shkojë në Shqipëri”.

prishtina-1966-e1482977187839

Më 1966, pas rënies së Rankoviqit, formohet “Komisioni i Sekretariatit të Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Serbisë për hulumtimin e përgjegjësisë politike të anëtarëve të Komitetit Krahinor të cilët kanë punuar në shërbimin e Sigurimit Shtetëror në krahinë”. Në këtë komision, për Sharr Hoxhën, djalin e Fadil Hoxhës, dëshmi jep Stanislav Gërkoviq, kryeshef i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Qarkut dhe Komunës së Prishtinës. Një pjesë e dëshmisë së Gërkoviqit, dhënë më 16 korrik 1966, është kjo: “Para dy vjetësh, me sa më kujtohet, me rastin e zbulimit të veprimtarisë armiqësore të një grupi të rinjsh – nxënës të shkollës së mesme – gjetëm edhe emrin e njërit djalë të Fadil Hoxhës (Sharri). U konstatua se ai kishte ditur për këtë veprimtari dhe në njëfarë mase edhe vetë kishte marrë pjesë në të. Këtë grup nuk e ndoqëm, sa më kujtohet, as në mënyrë kundërvajtëse, meqë ishim marrë vesh që për tërë këtë të lajmërohet shoku Fadil…”.

Në fakt, edhe historiani kroat, Branko Horvat, ka shkruar se më 1963 Sharr Hoxha me një grup të rinjsh shqiptarë ka shkruar parullat: “Poshtë Tito”, “Poshtë Jugosllavia”, “Rroftë Enver Hoxha”, “Rroftë Shqipëria”!

Pas rënies së Rankoviqit, Dushko Hr. Konstantinov, historian maqedonas nga Manastiri, më 1 mars 1966 shkruan: “Shqiptarët janë banorë më të vjetër të Gadishullit Ballkanik dhe pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve të vjetër, të cilët kishin ndërtuar shtetin më të fuqishëm në Ballkan”. Por, pas vitit 1981, kur nis të degradojë pozita e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, ky historian do të ndryshojë qëndrimin e tij të mëparshëm!

Në vitin 1966, prej 4 e deri me 10 korrik, Ansambli “Rugova” merr pjesë në Festivalin e Folklorit Ndërkombëtar në Langolen të Anglisë. Në kuadër të këtij Ansambli ishin edhe rapsodët e mirënjohur të Llapushës, Salih e Feriz Krasniqi. Atëherë lind miti se këta dy kanë kërkuar të hiqen mikrofonat dhe se të gjithë në publik u mahnitën me fuqinë e zërit të tyre.

Këtë vit në botë lind një mit tjetër, të cilin shumica edhe sot e besojnë. Më 1966 vdes animatori, sipërmarrësi dhe aktori i njohur amerikan, Walt Disney. Atëherë u tha se trupi i tij është ngrirë dhe se kur të gjendet ilaçi i sëmundjes nga e cila vuante, ai do të shkrihet dhe do të vazhdojë të jetojë!

Në këtë vit, pos Disneyt vdesin edhe dy aktorë të mëdhenj: Buster Keaton dhe Montgomery Clift.

Në vitin 1966, në Shqipëri bëhet urimi i fundit i Krishtlindjeve në Shqipërinë komuniste. Më 23 dhjetor të këtij viti, kryetari i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, kryepeshkopi Damian, përmes një telegrami i uron Krishtlindjet kryetarit të Kishës Katolike të Shqipërisë, Imzot Ernest Çobës. Një vit më vonë, Hoxha nis kampanjën kundër feve.

Bota dridhej nga ritmet e muzikës Rock’n Roll, ndërsa punëtorët e “Trepçës” solidarizohen me “popullin mik të Indisë” që kërcënohej nga uria.

“Tue nihmue popullin e Indlsë na kryeimë detyrën tonë internaclonallste dhe obligimin për të të cilin na tregon gjithmonë shoku Tlto dhe LKJ. T’a ndihmojmë popullin e Indisë!”, thuhet në apelin e tyre.

 

burimi: Telegrafi