Rreth 300 imamë në Austri kanë nënshkruar një deklaratë në të cilën e quajnë ISIS-in “delja e zezë” e besimit Islam – duke iu bërë gjithashtu thirrje myslimanëve që të marrin rol më të madh në shoqëri.
Komuniteti Islamik i Austrisë (IGGO) nënshkroi deklaratën kundër “ekstremizmit, dhunës dhe terrorit” në Vjenë, duke thënë se terroristët e ISIS-it janë në kundërshtim me Islamin dhe duhet të dënohen.

“Terroristët e ISIS-it e keqpërdorin fenë tonë paqësore të Islamit për të arritur qëllimet e tyre politike”, thanë ata, transmeton Gazeta Express.

Rreth 180 imamë që e nënshkruan deklaratën, u mblodhën jashtë një xhamie në qytet me një baner në të cilën shkruante “Të bashkuar kundër ekstremizmit dhe terrorit”.

Presidenti i IGGO, Ibrahim Olgun tha në një fjalim se “religjioni që kërkon paqe nuk mund të ketë veçori fundamentaliste, terroriste ose radikale” dhe se besimi Islam është “ndotur” nga veprimet e dhunshme të ekstremistëve.

“Ne, imamët e Austrisë, do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë për të pasur bashkëjetesë paqësore këtu në Austri si pjesë e kësaj shoqërie”, thanë ata./express/