Vizitë njerëzve që në këtë natë feste janë në krye të detyrës për një jetë më të mirë për të uruar të punësuarit për ndërrimin e motmoteve. Njësia e zjarrëfikësve, Urgjenca e spitalit, Reparti i fëmijëve dhe Stacioni i policisë në Kërçovë

Fatmirësisht organet e sipërpërmendura raportojnë se deri në këto çaste nuk ka asnjë problem në qytet.
Gëzuar Viti i Ri 2017

(shihni fotot të bashkangjitura më poshtë )


Për ndryshe ky është urimi që jua drejtoj qytetarëve  kryetari i Komunës së Kërçovës, për festat e fund vitit:

Të nderuar qytetarë, të nderuar mërgimtarë, bashkëvendas të mi, vëllezër e motra.

Janari i vitit që lëmë pas ngriu jetën e Dehar Deharit, nipit tim më të dashur , për të më plasaritur shpirtin e për të më lënë një vrragë që koha nuk e shlyen dot. E planifukuam të jetë një vit i mbarë pune, për të vazhduar vazhdën e rregullimit dhe ndërtimit infrastrukturor të qytetit, për të ngritur edhe më lart aktivitetet e shfaqjes së vlerave kulturore, për të renditur edhe më tej sukseset sportive, për të qëndruar gjithmonë pranë kërkesave e nevojave të qytetarëve me një funksionim profesional administrativ e shërbime kapacitetesh të plota në cilëndo sferë që paraqitet nevoja.

Ndonëse i thyer moralisht, unë gjeta ngushëllimin tuaj të sinqertë, mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj si shërim që e gjithë kjo të më fuqizojë në realizimin e objektivave të parapara në përputhje me Buxhetin e komunës. Dhe, kështu ne fituam një betejë në stabilizimin dhe funksionimin normal në lëmin e arsimit, duke zbutur edhe më tej borxhin e shkollave, furnizimin me naftë, ngrohjen e ambientit të klasave, shlyerjen e faturimeve të energjisë elektrike, përmbushjen e plotë të nevojës së transportit të nxënësve dhe dukshëm përmirësuam kushtet e përgjithshme për një cilësi më të profesionalizuar të mësimdhënies.Ashtu siç muajt do të merrnin rrjedhën e vet, më gëzonte fakti se frutet e punës, ndryshimet që po i vërenit ju, qytetarë të nderuar, më gëzonin mua dhe më fuqizonin bindjen që do t’ia dalim edhe kësaj here.

Kështu vitin 2016 po e përmbyllim me të arritura të reja, me hove të pandalshme e kontinutive asfaltimesh të rrugëve, përmirësimit të rrjetit të ujësjellsit, furnizimin me ujë të atyre bashkësive lokale të fshatrave ku për herë të parë do të shijonin ujin e pishëm të sjellë nga burimet e pastra të maleve, përmirësimin e ndriçimit publik, ndërtimin e kanalizimeve e kështu me radhë. Po këtë vit filloi mbarë projekti më madhor i ndërtimit të stacionit për pastrimin e ujërave të zeza.

Është e arritur më vete edhe zgjerimi i kapacitetit të NP „Komunalec„, ndërmarrje në të cilin u punësuan qytetarë prej shtresave më të goditura sociale. Numri i të punësuarve u rrit edhe në administratën e Komunës së Kërçovës dhe te zjarrfikësit për të zbutur gjer në një masë papunësinë te të gjithë pa dallim race a kombësie. Në këtë frymë , ne arrijtëm që me ndryshimet e planeve detale të nxisim zhvillimin ekonomik lokal e me këtë edhe të tërhjekim e të vëmë në veprim një fuqi shtesë të krahut të punës në aktivitete fitimprurëse.

Po kaq e bujshme ishte jeta kulturore me shfaqje teatrale, koncerte kamertale klasike, festivale për fëmijë dhe varg aktivitete të tjera poetike e promovimesh të librave. KV Shutova na nderoi me atë që u bë kampion shtetëror në voleboll për të sjellë në qytetin tonë edhe kupën nga Republika e Kosovës fituar në turneun “Adem Jashari”.
Të dashur bashkëqytetarë të mi. Ne jemi të vetëdijshëm se kemi edhe shumë punë për të bërë, por jemi po kaq të fuqishëm e të motivuar që në vazhdimësi të ndërtojmë edhe shumë më tepër vitin që vjen, t’i kthejmë qytetit edhe parqet e shkatërruara, këndet e lojërave për fëmijët, ashtu sikurse është në përfundim e sipër ndërtimi i çerdhes për kujdesin e fëmijëve, pastaj vazhdojmë ndërtimin e trotuareve që janë domosdoshmëri për sigurimin e këmbësorëve dhe shumëçka tjetër që del edhe si propozim prej vetë jush, bashkëvendas të mi. Pra, viti 2017 do të jetë edhe një vit i angazhimit maksimal.

Dhe për fund, po përmbyllet ky vit që në mua lë plagën therëse për tim nip Dehar Deharin, për të cilin lus Zotin ta ketë shpërblyer me një nga vendet më të lartësuara të parajsës, sepse si i ri, mbase është edhe meritor për këtë gradim. Pavarësisht kësaj, unë përzemërsisht uroj viti që vjen para së gjithash, t’ju sjelli shëndet dhe lumturi, suksese të pakufishme në punë, në karierë e në jetën tuaj, motivim e shpirtgjërësi për të ndihmuar bashkërisht të pastrehët, jetimët, skamnorët e të papunët, sepse e kemi obligim njerëzor dhe hyjnor.

Bashkë me familjen time,
Gëzuar Vitin e Ri 2017 e paçi mbarësi!
Kërçovë, 31 dhjetor 2016
Fatmir Dehari


FOTO NGA AKTIVITETET E VOND VITIT

 

 15780733_689514071207876_3111619703307311079_n
15826897_689514207874529_99534893049425980_n 15781073_689514257874524_8657713239605151905_n 15823260_689514314541185_7733492516844716032_n