Sot mbushen 7 vjet nga vrasja e Harun Aliut, komandant Kushtrimit dhe tre shokëve të tij, Xhafer Shala, Qemal Fejzullahu dhe Shaban Zenuni.

Harun Aliu ka lindur më 20 maj të vitit 1971 në Hasanbeg të Shkupit, ku kaloi fëmijërinë e tij dhe kreu shkollën fillore. Në vitet e tetëdhjeta pushteti Jugosllav e hoqi përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha shkollat e mesme dhe krijoi paralelet e përziera ku mësomi zhvillohej në gjuhën maqedonase. Aliu refuzoi të ndjekë mësimin në gjuhën maqedonase dhe udhëtoi drejt Damaskut të Sirisë për të kryer shkollën e mesme. Më pas kthehet në vendlindje ku do të regjistrohej në gjeneratën e parë të Universitetit të Tetovës, në Fakultetin Filozofik, dega e Historisë. Emri i Harun Aliut do të gjendet në thuajse të gjitha aktivitetet kombëtare në Kosovë e Maqedoni, që nga lëvizjet studentore duke u rreshtuar gjithmonë në ballë të tyre. Kushtrimi nuk do të mungonte as në aradhat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në vitet e 90-ta nën drejtimin e komandantit Adem Jashari.