Ministria e mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar se një avion luftarak i saj, i tipit Mig-29K, sot është përplasur në Detin Mesdhe, afër bregut të Sirisë, pasi është ngritur nga platforma e aeroplanmbajtësit rus, Admiral Kuznetsov. Ministria tha se piloti ka shpëtuar duke u hedhur nga aeroplani.

Ende nuk dihen shkaqet e rrëzimit të avionit. Gjatë vendosjes në afërsi të bregut të Sirisë, i vetmi aeroplanmbajtës i Rusisë ishte i shoqëruar nga një kryqëzor raketor dhe gjashtë anije të tjera në atë që ishte vendosja më e madhe e marinës ruse prej shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, në vitin 1991.

Kjo vendosje ishte kritikuar nga qeveritë perëndimore, pasi konsiderohej si një përpjekje për mbështetje ushtarake për presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, dhe për intensifikimin e sulmeve ajrore në hapësirat e qytetit Alepo, që janë nën kontrollin e kryengritësve.