Kamera të fshehta të vendosura në makinat e policisë kosovare kanë arritur të kapin dhjetëra veprime korruptive të policëve të rajonit të Mitrovicës të përfshirë marrjen e parave dhe detyrimin e shoferëve të kamionëve e makinave për të paguar mito.

Në njërin nga rastet më të mëdha të korrupsionit në polici, Prokuroria e Mitrovicës pretendon se ka fakte për dhjetëra raste të mitëmarrjes të cilat dëshmohen nga materiale filmike të kapura nga kamerat e Inspektoriatit Policor.

Nga data 21 shtator deri 12 dhjetor 2016 IPK-ja fshehurazi kishte montuar kamera në makinat e policisë.

Materialet e filmuara shërbyen për t’i akuzuar 35 zyrtarë policorë apo pothuajse të gjithë njësinë e trafikut.

Në 31 faqe aktakuzë që ka siguruar kallxo.com prokurorja Zejnie Kela përshkruan në detaje veprime të policëve në aferën e korrupsionit.

Ngjarja e datës 23 shtator 2016 të përshkruhet në aktakuzë si moment kur policët Ahmet Hasani dhe Esat Haxhiu fituan bukur shumë para.

Dy policët janë filmuar tek ndalen në afërsi të Zhabarit për t’i numëruar paratë e marra mito. Filmimet e IPK-së tregojnë se policët ndanë në mes vete 7 bankënota 5 euroshe, 2 bankënota 10 euorshe e më vonë edhe 35 euro dhe 1000 dinarë.

Aktakuza përshkruan edhe veprimet e policit Esat Haxhiu. Ky polic është atraktiv pasi sipas aktakuzës bakënotën e marrë nga një qytetarë serb e kishte futur në çorapën e tij për ta fshehur aty nga çdo rastësi.

Më tutje, në aktakuzë tregohet se si policët e akuzuar për marrje ryshfeti udhëzonin të ndaluarit nga ta se ku t’ua lënë paratë.

“Pasi kanë ndaluar një kundërvajtës në komunikacion i cili kishte thyer rregullat e komunikacionit, kundërvajtësi afrohet para derës së automjetit të policisë dhe i pandehuri Sahit i bën me shenjë se ku ti hedhë paratë dhe i njëjti e hedh një bankënotë prej 5€ në pjesën e brendshme të derës së automjetit dhe nga aty i pandehuri Sahit i merr paratë dhe i fut në xhepin e tij”, shkruan në aktakuzë.

Aktakuza për të njëjtin zyrtar policor të akuzuar konstaton se edhe në raste tjera i ka marrë bankënotat nga makina dhe i ka futur në xhep.

Ndryshe 59 policë të trafikut u arrestuan nga Inspektorati policor në dhjetor të vitit të kaluar.