Të gjitha kohët e shkuara për shqiptarët ishin të rënda, ndërsa për intelektualët dhe krijuesit e tyre në gjithë hapësirën gjeoetnike edhe më të ndera. Por dijetarët dhe intelektualët tanë ishin njerëz të tjerë, të veçantë, kontributdhënës, të dinjitetshëm ndaj vetvetes dhe të tjerëve. I donim, i respektonim, mësonim nga veprat e tyre, i konsideronim model të njerëzve të ditur, sepse ishin vërtetë të mëdhenj, nder për kulturën dhe kombin tonë. Profesor Idriz Ajeti është njëri ndër ta, me një të veçantë fatlume për të dhe për ne që pati shëndet të plotë dhe jetë të gjatë, duke shkelur pikërisht sot, më 27 janar, në të njëqindat. Urime profesor dhe rrofshi sa malet!

Kur përmendet emri profesor, në mjedisin tonë akademik, kulturor e shoqëror të gjithë e dinë se bëhet fjalë për profesor Idriz Ajetin, sikur në Tiranë që dikur me emrin profesor njihej Profesor Eqrem Çabej. Historia e gjuhësisë, e shkencave albanologjike dhe e kulturës shqiptare nuk mund të merret me mend pa profesor Idriz Ajetin. Prof. Ajeti, me atë lagje të vogël, por të fortë intelektualësh, dijetarësh dhe patriotësh të Kosovës, çfarë ishin Esad Mekuli, Mark Krasniqi, Ali Hadri, Anton Çetta, Gazmend Zajmi, Dervish Rozhaja, Fehmi Agani e shumë të tjerë, të mbështetur nga faktori politik kosovar i kohës, me punë, mund e sakrifica të mëdha, i ngritën institucionet arsimore e shkencore dhe i mbajtën gjallë veprimtaritë kulturore e shoqërore të Kosovës dhe qenien kombëtare, gjithnjë brenda synimit kolektiv për emancipim dhe përparim të kombit shqiptar. Prof. Idrizi, si doktor i parë i shkencave në Kosovë dhe si intelektual i radhëve të para, kudo që gjendej dhe vepronte, impononte dhe pushtonte me butësinë, qetësinë, shembëllesën e mirësisë, optimizmin dhe pamjen prej intelektuali.

Profesor Idrizi Ajeti ka një rrugë të ngjeshur jetësore, shkencore dhe intelektuale. Jetoi, veproi dhe krijoi, thënë kushtimisht, në tri regjime, si tri epoka, në të cilat kombi dhe kultura shqiptare përjetuan zhvillime dramatike: ngritje dhe rënie, prosperitet dhe ngufatje. Ai e përjetoi rrugëtimin e rëndë të Kosovës dhe të shkencave albanologjike në gjithë kompleksitetin e tyre, duke qenë edhe dëshmitar edhe pjesëmarrës, me të gjitha ballafaqimet. I lindur në Tupallë të Medvegjës para një shekulli, ndërsa i shkolluar në Shkup, Zagreb, Pisa, Padova dhe Beograd, i takon gjithë trungut gjeoetnik, gjithë kombit shqiptar dhe tërë kulturës së tij.

Nga fillimet e shkollimit të tij, në vitet e 30-ta e të 40-ta të shekullit 20, nga një gjendje e analfabetizmit kolektiv të shqiptarëve, me ndryshimet politike e shoqërore që do të pasojnë në Kosovë dhe rreth saj, prof. Idrizi do të gjendet në majat e institucioneve shkencore e kulturore të Kosovës. Ishte themeluesi dhe shefi i parë i Katedrës së Albanologjisë, kryeredaktori i parë i revistave prestigjioze “Gjurmime albanologjike” dhe “Studime”, drejtor i Institutit Albanologjik, dekan i Fakultetit Filozofik, rektor i UP-së, kryetar i ASHAK, ideator kryesor i Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare dhe drejtor i parë i tij, kryetar i parë i Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Kosovë, kryetar i Parlamentit të Republikës së Kosovës në vitet më të rënda për Kosovën dhe shqiptarët, pjesëmarrës i Konferencës së Rambujesë. Për punën e tij shkencore-hulumtuese dhe publike mori shumë mirënjohje dhe dekorata, ndër to edhe “Nderi i Kombit”.

Me trashëgiminë që po na lë, profesor Idriz Ajeti po lë dhe gjurmë të pashlyeshme në jetën shkencore, kulturore, pedagogjike, kombëtare dhe shoqërore të shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe në fillim të këtij që po e jetojmë. Brezat, pa mëdyshje, do të jenë mirënjohës për trashëgiminë e tij në fushën e dijeve albanologjike dhe në afirmimin e rezultateve të tyre jashtë kufijve kombëtarë e ballkanikë. Vepra e tij shkencore në gjuhësi pa dyshim do të mbetet burim i pashmangshëm reference.

Profesor Idriz Ajeti simbolizon një epokë të albanologjisë, prandaj emri dhe vepra i tij do të rrojnë sa kohë të rrojnë gjuhësia shqiptare dhe shkencat albanologjike.

Autori: Akademik Hivzi Islami

 

(Autori është kryetar i Akademisë së Shekncave dhe Arteve së Kosovës. Kjo është fjala e hapjes e Konferencës Shkencore jubilare, organizuar me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Akademik Idriz Ajetit)