Shtabi zgjedhor i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, reagon ndaj një akti të shëmtuar, i cili ka ngjarë para pak minutash në Qendrën e Votimit 2042/A në shkollën e mesme Teknike në Prizren.

Ky akt i shëmtuar ka ngjarë sot kur një aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës është kapur në flagrancë, duke e incizuar votën e tij, me qëllim të konfirmimit të votës tek ata të cilët dyshohet së në kundërvlerë i kanë ofruar mjete financiare.

Në lidhje me këtë rast janë njoftuar autoritetet Policore si dhe Prokurori kujdestar, me ç’rast i dyshuari është arrestuar nga ana e njësiteve policore të Kosovës, dhe po mbahet në mbajtje.

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, ju bën thirrje të gjitha subjekteve politike në komunën e Prizrenit, që t’u përmbahen rregullave zgjedhore, duke mos e cenuar në asnjë moment vullnetin e lirë të qytetarëve të Komunës së Prizrenit, me qëllim që të mos u mohohet e  drejta  për të votuar konform bindjeve të tyre.

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren mbështet fuqishëm institucionet e rendit, dhe të drejtësisë që  të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura sipas legjislacionit në fuqi, për të gjithë ata të cilët pretendojnë që ta devalvojnë vullnetin e qytetarëve të vendit.