Dibra ndodhet pranë një katastrofe ekologjike për shkak të ndotjes së paparë ndonjëherë të liqenit të Dibrës. Sasi të mëdha të plastikës dhe mbeturinave, kanë mbuluar sipërfaqe të tëra të liqenit. Gjendja më alarmante paraqitet në pjesën nga Dibra për në Kosovrast. Qytetarët thonë se institucionet nuk bëjnë asgjë për të zgjidhur këtë problem serioz që mund të shpërthej në ndonjë epidemi me pasoja fatale për banorët. Sipas tyre pjesa më e madhe e mbetjeve plastike, por edhe materialit tjetër helmues derdhen nga fshatrat e Mavrovës.
Kreu i komunës së Dibrës shfajësohet duke thënë se liqeni menaxhohen nga elektranat e Maqedonisë-ELEM dhe nga një koncesioner privat, të cilat sipas tij duhet të mbajnë përgjegjësi për mirëmbajtjen e liqenit. Por Lata nuk tregon nëse ai si kryetar komune ka ndërmarrë masa për të alarmuar këto subjekte për pastrimin e liqenit.
Por, nga kompania ELEM thonë se me vite i bëjnë thirrje komunës por edhe popullatës lokale që mos të hedhin mbeturina në Radikë, pasi lumi gjatë reshjeve i bartë ato në liqe. Nga Elemi dhe koncesioneri i Liqenit, “Pepi Vinca” thonë se të gjitha të drejta dhe obligimet sipas marrëveshjes për koncesion kanë i plotësuar dhe se në mirëmbajtjen e liqenit duhet të kyçet pushteti lokal.