Në librin e autorit, Albert Racinet (1825 – 1893), me titull « Le costume historique : cinq cents planches, trois cents en couleurs, or et argent, deux cent en camaïeu… », botuar në vitin 1888 nga shtëpia botuese « Firmin – Didot (Paris) », gjejmë një shkrim, në faqen n°328, ku flitet për epirotët (shqiptarët), origjinën dhe zanatin e tyre kryesor.

 

Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë mbi përshkrimin e epirotëve nga piktori, litografi dhe ilustruesi francez, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :

 

Turqia e Evropës

Kostumet e Vilajeteve të Janinës dhe Selanikut

(Epiri ose Shqipëria Jugore, Thesalia, Maqedonia)

 

“Vilajeti i Janinës përfshin Epirin ose Shqipërinë Jugore dhe Thesalinë ; Janina është qyteti kryesor dhe kryeqyteti i Epirit.

 

Epirotët ose shqiptarët, të cilët e quajnë veten Arbëreshë, nga ku bizantinët i kanë quajtur Arvanitë dhe turqit Arnautë, gjithashtu quhen Skipëtar.

 

Ky emër i fundit duket se nënkupton njeriun që është gjithmonë i armatosur, ai që përdor shpatën, skiphosin.

 

Shqiptarët, të cilët, sipas të gjitha dukjeve, janë një fis i ilirëve të lashtë, janë të fuqishëm dhe luftarakë.

 

Këta ushtarë të Akilit, Pirros dhe Skënderbeut kanë ruajtur reputacionin e paraardhësve të tyre.

 

Vilajeti i Selanikut është Maqedonia e lashtë; ai ndodhet në perëndim të Vilajetit të Janinës.

 

Industria kryesore e Epirotëve është prodhimi i kostumëve.

 

Rrobaqepësit dhe qëndistarët e Janinës furnizojnë të gjithë Greqinë me veshje të bukura, nganjëherë pelhura e tyre gjendet e mbuluar plotësisht nën qëndisjet prej ari.

 

Mesatarisht, kostumi i një burri të këtij lloji shitet në Janinë, 1.600 franga, i një gruaje, 1.800 franga dhe i një fëmije, 500 franga.”

 

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit :https://www.darsiani.com/la-gazette/albert-racinet-1888-epirotet-shqiptare-arbereshe-ilire-pasardhes-te-akilit-pirros-dhe-skenderbeut-prodhuese-dhe-furnizuese-te-kostumeve-ne-te-gjithe-greqine/. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.