shaqirislami

Autor: SHAQIR ISLAMI

Ky ekskursion i Aliut, në takime të përzemërta me politikanët komshi, është kërkesa e tij e radhës për hallallëk. Kjo është grahma e tij politike. Më në fund do të shtjellohet Aliu i vërtetë. Mbreti i mashtrimit do të del cullak dhe do duket qesharak. Asnjë këshillë dashamirëse e askujt nuk i bën derman. Më në fund ai është me vetminë e tij dhe përballet me vetveten dhe veprat e tija hileqare ndaj popullit  dhe sojit të vet. Zullumi është trash aq shumë sa që nuk mund ta shpëtojë asnjë politikan. Sikur edhe rahmetliu Enver Hoxha me ‘pajdashin’ e vet Titon të ishin ngjallur, nuk do ta shpëtonin çirakun e mjerë të tyre.

Po, ai është sërish fitimtarë, me “së bashku të gjithë do jemi vendimtarë”. Bile do shpëtojmë nga sloganet e tija politike të budallafta. Sa herë ka ngec në “mutnitë e veta”, ai del në ecejake  ose në Kosovë ose në Shqipëri, i ka bërë si haxhillëk ! Dhe për çudi, politikanët e të dy shteteve-komshi me një lehtësi të papërballueshme e galvanizojnë me patriotizëm dhe na e shesin sërish me të gjitha të metat e një zullumqari-ahmak.  Nuk habitem fare me të, habitem me ata që e presin dhe e miklojnë dhe ia shtrëngojnë dorën këtij bërllogu të popullit, që na përbalti dhe nëpërkëmbi si Pisistrati, një dushman mashtrues i pashpirtë. Na nxiu çdo pore të jetës.

Çdo segment të jetës, qoftë ekonomik, social, arsimorë, kulturorë, … e rrënoi dhe e mjeroi pamëshirshëm këtë popull, gjithmonë duke u thirrur në “bashkimin e popullit”; nga ana tjetër ashiqare vepronte për ta përçarë dhe copëtuar sa më shumë. Po, ai fitoi me demagogjinë ashiqare dhe dokrrat e tij, plotë pesëmbëdhjetë vite! Ky dushman i maskuar në hero-popullorë  sundoi si tiran duke ushtruar dhunë psiqike dhe fizike ndaj gjithësecilit që mendonte ndryshe, që nuk pajtohej me zullumin fizik dhe shpirtërorë që ushtroi ndaj llojit të vet. Me ahmakllëkun e vet ky batakçi, na e dëboi rininë, na i zbrazi katundet dhe qytetet, duke  ftuar në “bashkimin tonë”! Ky është demagogu më i suksesshëm i rajonit ose më gjerë!

Me fitoren e fundit të vetë, ai është në hall të madh. Sepse, Zoti është me të vërtetë i madh! Allahu Ekber. Kjo është fitorja e dëshpërimit të tij. Për herë të parë, ai për nime nuk do që të jetë në pushtet. Pasi që ai është i pështirë dhe i lodhur nga “pushteti”  i gjertanishëm. “Pushteti”  për të ka qenë më shumë mundim shpirtërorë, se sa kënaqësi. Pra, të fitosh dhe  mos ta gëzosh, mrekulli të tilla bën vetëm Ai që është Ekber!

“El Komandante” kurrë nuk ka qenë më i dëshpëruar se sa me këtë fitore! Jo se i humbi gjysmën e deputetëve të tij, ai nuk e çan fare kokën për ta, por, për shkak se, kjo fitore është nisma e fundit të tij në çdo aspekt. Ai, më në fund do shpaloset. Më në fund do ta njohim në dritën e vërtetë. Populli do ta sheh ‘shokun Zylo’ të vërtetë. Kush e pat shkruar atë veprën “Ngritja dhe rënia e shokut Zylo”? Kurrë s’e kam lexuar, por, më ka lënë mbresë titulli i kësaj vepre.

Nuk kisha dashur të jem në lëkurën e këtij marksist-leninisti të regjur dhe kalitur. Asnjë këshillë politikani nuk i ndihmon dot. Fare nuk i bëjnë derman, këshilla politikanësh, as galvanizime patriotësh dhe nacionalistësh. Ali Ahmetin duhet ta fryjë ndonjë si “hoxha” i famshëm i Koritës (nëse është i gjallë) ! Vetëm hajmalitë e famshëm të tij i bëjnë derman “El Komandantes”. / Lajm /

 


* Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim paraqesin mendimet dhe të drejtat e autorit, nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë së Manastiri Lajm