Prokuroria Speciale Publike (PSP) është e rëndësishme për ardhmërinë e Maqedonisë dhe për pastrimin e plotë me aferën e përgjimeve. Bashkimi Demokratik për Integrim do të pranojë Qeveri me partinë e cila do të garantojë vazhdim të mandatit të PSP-së, deklaroi anëtari i kryesisë së BDI-së Rafiz Aliti në TV “24 Vesti”.

“BDI do të pranojë të koalicionojë me partinë e cila do ta pranojë gjuhën shqipe që të bëhet zyrtare në tërë Maqedoninë. Pastaj BDI nuk kërkon që shqipja të jetë gjuhë e parë, atë të gjithë e dimë se është maqedonishtja”, tha ai.

Sipas Alitit, partia e tij do të merret edhe me çështjen e zgjidhjes së emrit.

“Presim përpjekje reale nga Qeveria e ardhshme për tejkalimin e kontestit, por edhe hapa konkrete për integrim në NATO dhe fillim të bisedimeve me BE-në. Ato janë çështje strategjike edhe për shtetin edhe për shqiptarët dhe ne në ato patjetër duhet të punojmë”, tha Aliti, duke shtuar se BDI bisedon me të dy blloqet, edhe me VMRO-DPMNE-në edhe me LSDM-në dhe se të gjitha partitë shqiptare këtë do ta kërkojnë nga partitë maqedonase.