Gazetari Nazim Rashidi, njëherësh drejtues i emisionit 200 në Alsat-M, ka komentuar takimin  në Shkup duke thënë që takimi i partive është reagimi i parë me sens, pas verdiktit të shqiptarëve.

Postimi i plotë në Fejsbuk:

“Takimi i partive është reagimi i parë me sens, pas verdiktit të shqiptarëve. Çdo mundësi e humbur për përparim, pas këtij verdikti aq instiktiv dhe mundësidhënës nga shqiptarët do sjellë regres edhe më të errët. Në fund të fundit partitë janë rivale JO armike!

Ndryshe, takimi i sotëm ishte bojkotuar nga ana e PDSH-së dhe Lëvizjes “Besa”, shkruan Rashidi.

Gjithashtu edhe opinionisti Daut Dauti ka komentuar se një kafe me Alinë nuk është patjetër të ketë shijen e hidhur.

“Dje u kritikuan për ide, platforma e për parime, sot u ulën bashkë, sepse kështu vlerësuan se e kërkon momenti. Kryekomandanti me Gjeneralin, kapërcyen Rubikonin, mënitë apo shkaqet që i ndanë. Edhe për Selën, kritikuesin e madh të politikave qeveritare, pra edhe të BDI-së, edhe për Veselin e njërit krah të RDK-së, një kafe me Alinë nuk është patjetër të ketë shijen e hidhur.

Para kombinatorikave të ardhshme qeveritare që assesi s’mund të jenë të plota pa shqiptarët, është me rëndësi të definohet ÇKA DUAN SHQIPTARËT nga partnerët e ardhshëm maqedoas, CILAT JANË KUSHTET për hyrje në qeveri, cilat janë vijat e kuqe…

Një dozë realizmi në këtë moment dhe një sens për unitet është i mirëseardhur, pavarësisht në ç’cilësi, prandaj ndoshta rundi i dytë i takimeve për unifikim qëndrimesh mund t’i mbledhë bashkë edhe Kasamin edhe Menduhin…

Nga fotoja poshtë shihen edhe karriket e zbrazëta që nesër mund të plotësohen, por dhe disponimi nga fytyrat e pjesëmarrësve(ndonëse kafet nuk shihen), flet se kanë shumëçka të përbashkët”, shkruan Daut Dauti.