Analisti i njohur kosovar, Shkëlzen Maliqi shprehet se vota e shqiptarëve ndëshkoi bindshëm BDI-në dhe Ali Ahmetin për rolin që kanë pasur që nga viti 2008 si partner koalicioni në qeveritë e dështuara të udhëhequra nga Nikola Gruevski. “Shumica dërmuese e votuesve shqiptarë kanë votuar kundër Qeverisë Gruevski & Ahmeti duke përfshirë jo vetëm Lëvizjen Besa dhe dy partitë të dala nga fraksionimi i PDSH-së, por edhe nga faktin se ndoshta një e treta, apo një e katërta, e këtij elektorati, votën ia ka besuar opozitës së LSDM, që kësaj here nuk ka garuar vetëm si parti e maqedonasve, por ka pasur ofertë edhe për shqiptarët, p.sh., se do ta zyrtarizojë gjuhën shqipe, dhe disa tjera.

Rezultati i zgjedhjeve zhbën absolutisht pretendimin se BDI-ja është fituese dhe partia me e madhe shqiptare në Maqedoni. BDI-ja në konfiguracionin aktual të forcave është pakicë ndër shqiptarët. Rrjedhimisht, nuk duhet të ketë legjitimitet asnjë formulë e pushtetit të ri që do ta përfshinte në Qeveri Gruevskin apo Ali Ahmetin”, vlerëson Maliqi.