Prokuroria Themelore Publike shqiptoi masën e arrestit shtëpiak prej tetë ditëve për sulmuesin e zv/kryetares së LSDM-së Radmilla Shekerinska, gjatë natës së dhunshme në Kuvend. Policia njoftoi se personi me inicialet P.A. më 27 prill ka hyrë në sallën e konferencave në Kuvend dhe përveç Shekerinskës ka sulmuar edhe kreun e LSDM-së Zoran Zaev dhe një person tjetër. Ai dje u arrestua nga njësiti policor Alfa dhe rreth orës 19-00 është dërguar në Prokurorinë themelore publike. Në opinion reagime nxiti kapadaillëku i tij me cigare në dorë gjatë dërgimit në Prokurori. Avokati Zvonko Davidoviq këtë e krahason me dërgimin para gjyqi të akuzuarit për rastin “Lagja e trimave”.

Dikush mbase mund të thotë se kjo nuk është e krahasueshme, por unë mendoj se po. Për “Lagjen e trimave” kemi helikopterë, autoblinda, tanke, topa… dhe thonë se bëhet fjalë për terroristë. Në rregull, kanë vlerësime se po kërcënohet siguria. Por, a është bërë vlerësim në këtë rast? Sidomos kur Mitko Çavkov është njeriu të cilit i vishet një pjesë e fajit dhe prej të cilit kërkohet përgjegjësi. Cili është vlerësimi i tyre se në rast të këtillë, kur njerëz u futën në organin më të lartë, që sulmuan përfaqësuesit më të lartë të pushtetit dhe i dërgoni para gjyqi në atë mënyrë? Ku e keni vlerësimin për sigurinë këtu dhe cili është dallimi mes “Lagjes së trimave” dhe kësaj? S’ka aspak dallim – deklaroi avokati Zvonko Davidoviq.

Davidoviq vlerëson se ka mos-përputhje mes veprës që personi në fjalë ka kryer dhe veprës për të cilën ai ngarkohet.

Nëse kemi person që është i dhunshëm dhe shihet se është i tillë dhe i cili nuk dhunoi vetëm Sheqerinskën, por ka edhe incizime tjera në të cilat i njëjti është pjesë e turmës, problem është kualifikimi. Pra është bërë kualifikim i ulët, pjesëmarrje në turmë – tha Davidoviq.

Prokuroria deri më tani nuk i ka ndjekur organizatorët e protestës së dhunshme dhe hyrjes së tyre në Kuvend, ndërsa nesër skadon paraburgimi tetëditorë i një pjese të akuzuarve dhe ende nuk dihet se çka do të bëhet me ta. Rreth kësaj, me qëndrim dolën nga LSDM-ja:

“Prokuroria themelore publike duhet të zbulojë kush e ka organizuar dhe ka ndihmuar hyrjen në Kuvend dhe kush e pengoi policinë të veprojë. Çdo përpjekje për t’u boshatisur procedurat, nuk është asgjë tjetër përveç ndihmës së kryerësve të veprës penale”, njoftuan nga LSDM.

Nga Prokuroria informuan edhe atë se për të njëjtën vepër penale ngarkohet edhe një person tjetër, por duke pas parasysh gjendjen e tij shëndetësore, dje atij i është caktuar vetëm masa e kujdesit. /Alsat-m