Departamenti për Krime të Rënda i Policisë së Ferizaj, dje ka realizuar një plan operativo taktik për arrestimin e disa personave nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale ,”Trafikim me Njerëz”.

Grupi i dyshuar kriminal, dyshohet se në një lokal në qytetin e Shtimes, ka detyruar tri viktima femra të mitura, të punojnë me qëllim të shfrytëzimit seksual. Policia ka arrestuar katër të dyshuarit të cilët janë: A.F (1989), RR.M( 1995 ) F.B (1991) dhe T.L(1972).

Gjatë realizimit të këtij plani policor për arrestimin e të dyshuarve, në cilësi të prova materiale janë konfiskuar: 4 (katër) telefona mobil, 1 (një) sprej OC dhe 1 (një) mjet i prehtë thikë.

Gjithashtu në bashkëpunim me inspektoratin e punës dhe me vendim të prokurorit kompetent është mbyllur lokali i dyshuar në të cilin viktimat kryenin punë të detyruar.

Viktimat e rastit janë trajtuar në bazë të Procedurave Standarde të Operimit për viktimat e trafikimit dhe të njëjtat janë strehuar. Të dyshuarit me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje për 48 orë.