I ftohti siberian ka përfshirë Ballkanin dhe gjithë Evropën. Pjesë të Kosovës, Maqedonisë, Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë e Malit të Zi, janë mbuluar nga bora dhe ngrica, ku në Kroaci moti i keq shënoi viktimën e parë.

Reshjet e dendura të borës kanë anuluar shumë udhëtime dhe vonesa në aeroporte dhe kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin rrugor e hekurudhor, ndërsa shumë shkolla janë mbyllur.

Edhe në Evropë, situate paraqitet tejet serioze.

Në aeroportin e Schiphol të Holandës dhe në Bruksel, situata paraqitet kaotike pasi qindra udhëtarë janë detyruar të qëndrojnë në aeroporte. Rreth 400 fluturime janë anuluar vetëm në Schiphol, në një nga aeroportet më të mëdha në Evropë dhe rreth 200 të tjera janë anuluar në Bruksel. Edhe në Gjermani bora ka mbuluar të gjithë vendin.

Britania e Madhe po përballet me javën më të ftohtë në 5 vjet. Paralajmërime kanë dhënë edhe autoritetet e Francës, Anglisë, Wellsit, Skocisë dhe Irlandës se Veriut, ku temperaturat shënojnë një mesatare prej minus 10 gradë Celsius.