Paraditen e së mërkurës, Lulzim Basha do të ulet përballë Edi Ramës, pak metra larg çadrës së protestës. Por për herë të parë pas 74 ditësh, Lulzim Basha nuk e përkufizoi kërkesën për qeveri teknike, si kusht për zgjedhje.

“E kam thënë dhe e theksoj, se qeveria teknike dhe votimi elektronik, janë për ne, mjete për të realizuar kauzën e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Nëse ka propozime, të cilat ofrojnë të njëjtat garanci, që ne deri më sot nuk i kemi dëgjuar, jemi të gatshëm dhe të hapur t’i diskutojmë”,tha Basha.

Qëndrimi i ndryshëm i Bashës, që është i gatshëm të dëgjojë prej Edi Ramës se çfarë ka për të ofruar për zgjidhje pa dhënë më parë dorëheqje, ishte një vendim që grupi parlamentar e mori pas një diskutimi me shumë pikëpyetje dhe dilema nga deputetët.

Jozefina Topalli tha se ishte e paimagjinueshme mospjesëmarrja e PD-së në zgjedhje. Majlinda Bregu tha se është genocid të lesh 600 mijë votues të PD-së pa votuar, ndërsa Astrit Patozi mbështeti Bashën, por i kërkoi të bëjë mirë llogaritë gjatë negociatave. Tani opozita pret ofertën e Edi Ramës, përballë ofertës së qeverisë teknike.

“Unë jam i hapur të shikoj se çfarë, pala tjetër mund të ofrojë. Çfarëdo që të ofrojë, t’a harrojë të ofrojë pushtet për PD-në, në tavolinë. Nuk e kemi kërkuar dhe nuk do ta pranojmë. Në negociata shkojmë me kërkesën e pandryshueshme të lëvizjes popullore të 18 shkurtit, qeverinë teknike pa Edi Ramën kryeministër, me mandat popullor për zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit dhe për luftë efektive kundër drogës dhe parave të drogës”, u shpreh kreu i PD-së.

Është herët për të thënë nëse takimi në presidencë, mes Bashës dhe Ramës do të jetë takimi i tyre i parë dhe i fundit, për zgjidhjen e krizës, por rëndësi për opozitën tani ka vullneti i qeverisë për zgjidhje.

“Po i kërkojmë të ofrojë garanci për zgjedhje të lira e të ndershme. Me një rrugë tjetër, por ajo nuk mund të jetë një rrugë fasadë. Duhet të jetë një rrugë e vërtetë drejt zgjedhjeve. Këtu nuk ka më hapësirë për fasadë”, u shpreh Basha.