Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, në një dalje para mediave deklaroi se “operacioni kundër lojrave të fatit pati qëllim futjen në dorë të industrisë së bixhozit nga familjarët dhe miqtë e Edi Ramës”.
“Ligji i lojërave të fatit ka 3 vjet që nuk zbatohet me qëllim. Tashmë që e ka në dorë bixhozin në Shqipëri, Rama nuk ka më interes që ta zbatojë ligjin”, tha Basha.
Kreu i PD-së shtoi se skema e qeverisjes së Edi Ramës është e thjeshtë: t’i marrë para’ njerëzve të thjeshtë dhe t’ia japë miqve të tij të pasur, shkruan TCH.
“Për fasada paguan 3 milionë dollarë, ndërsa investimet për shkolla i ul me 10 milionë dollarë. Kjo është skema e gjithë qeverisjes së Ramës: merru njerëzve të thjeshtë dhe jepja një grushti klientësh të pasur. Kjo plaçkitje nuk do të ndalë nëse nuk largohet Edi Rama. Në vitin 2017 do u kthejmë paratë qytetarëve”, deklaroi Basha.