Ligji për gjuhën shqipe, në takimin e Kryesisë Qendrore të BDI-së që u zhvillua mbrëmë në selinë e partisë në Reçicë të Vogël, ka marrë dritë jeshile, me ç’rast nenet e ligjit kanë kaluar të gjitha, njofton televizioni Alsat-M.

Nga BDI-ja kanë thënë se nenet e Ligjit kanë kaluar tashmë të gjitha. “Në shqyrtim janë vetëm vërejtje të përgjithshme. Nuk ka mendime kundër, por thjesht jepen sqarime dhe ndahen mendime për mënyrën e përdorimit të shqipes si dhe zbatimin e ligjit në tërësi, bashkë me institucionet që do monitorojnë këtë zbatim. Bëhen përpjekje që diskutimi i ligjit dhe dhënia e pëlqimit për të, të përmbyllet që sot orëve të vona”, njoftuan nga partia.

Në një intervistë për Programin 200, zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, deklaroi se Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe do ta avancojë çështjen shqiptare dhe është moment historik për të cilin kemi pritur plot 15 vite. “Moment historik për të përmbyllur një proces të Marrëveshjes së Ohrit, jemi shumë të vëmendshëm dhe nuk shpejtojmë. Derisa nuk përmbyllet çështja e ligjit për gjuhën shqipe as që do të hapen pikat e tjera të marrëveshjes. 15 vite kemi pritur për ta mbyllur këtë çështje shumë të rëndësishme për shqiptarët”, deklaroi për Alsat-M, Osmani.