LSDM-ja dhe BDI-ja, pas takimit të djeshëm, vazhdojnë me konsultime brenda organeve të tyre partiake për të konkretizuar pozitat e tyre. Partitë nuk konfirmojnë kur do të jetë takimi i radhës mes tyre. Shefi i kabinetit të Ahmetit, Artan Grubi për emisionin 200 deklaroi se nëse LSDM-ja pranon platformën e përbashkët të partive shqiptare dhe konkretisht kushtin për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, nuk do të ketë pengesë tjetër për formimin e koalicionit.
“Nuk shoh arsye pse mos ta pranojë.

Besoj që do të jenë reflektues në lidhje me këtë dhe nuk shoh asnjë maqedonas pse mos ta pranojë për arsye se kjo platformë i ndihmon kohezionit shoqëror, një barabarësie qytetarësh dhe i bën mirë shëndetit të Republikës së Maqedonisë. A mendoni atëherë se negociatat mund të përfundojnë shpejtë në qoftë se ka një frymë të tillë? Në qoftë se ka frymë konstruktive dhe në qoftë se ka gatishmëri për t’i reflektuar këto nevoja, po, absolutisht po”, tha Grubi.

Nga LSDM-ja vazhdojnë të mos kenë një qëndrim për platformën. Zëdhënësi Petre Shilegov, deklaroi se pret që vizita e euro-komisarit të enjten, të vërtetojë nevojën për ndryshime.

“Ditën e sotme e shfrytëzojmë për konsultime brenda-partiake kurse në rast të takimeve të reja do të njoftoheni. Nga vizita e Han presim që të vërtetohet se Maqedonia në zgjedhjet e 11 dhjetorit votoi për ndryshim të kësaj Qeverie dhe të vërtetohet angazhimi për formimin e Qeverisë politike që do t’i sjellë ndryshimet e nevojshme” deklaroi Shilegov.

VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit duket e shqetësuar pas takimit të grupeve punuese të LSDM-së dhe BDI-së. Nga partia e Gruevskit duke njoftuar për takimin me ambasadoren e OSBE-së Nina Soumalainen, me ton kërcënues thonë se partitë që do të formojnë qeverinë pa VMRO-DPMNE-në duhet të mbajnë përgjegjësi për problemet që do të pasojnë.

“Çdo parti që merr përgjegjësinë të formojë koalicion pa partinë që ka fituar më shumë vota dhe me mbështetje më të madhe nga qytetarët në zgjedhje, duhet të dijë se njëkohësisht merr vendimin që të ballafaqohet me probleme në të ardhmen të krijuara nga situata kur mohohet vullneti i shumicës së qytetarëve”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Në komunikatën e tyre thuhet se parimi fituesi me fituesin nuk mund të vlejë sipas nevojës. Nga VMRO-DPMNE sugjerojnë që për të shmangur shpenzimet, zgjedhjet e reja të mbahen bashkë me ato lokalet./Alsat-M/