Mbetja e BDI-së në opozitë ndihmon VMRO-DPMNE-në që të realizojë skenarin për ta çuar vendin sërish në zgjedhje të parakohshme. Njohësit e çështjeve politike i kanë quajtur të pa sinqerta paralajmërimet e Ahmetit se mund të mos bëhet pjesë e qeverisë së re për të ti hapur rrugë zbardhjes së të vërtetës për të. Ata vlerësojnë se shqiptarët ndëshkuan Ahmetin në zgjedhje pikërisht për shkak të koalicionimit me Gruevskin.

Shkuarja e BDI-së në opozitë me këto numra ia mundëson VMRO-së realizimin e skenarëve për përsëritje të zgjedhjeve për të marrë një numër më të madh të deputetëve dhe për të ndryshuar situatën aktuale të numrave në Kuvend – deklaroi Sulejman Rushiti, ish politikan .

Nëse është e vërtet se dëshiron të mbetet në opozitë ai në mënyrë indirekte punon në favor të Gruevskit që kriza të thellohet, qeveri të mos ketë, ndërsa institucionet edhe ashtu janë në duar të partive – tha Xhevdet Hajredini, ish politikan.

Nga ana tjetër ish nënkryetari i BDI-së Nazmi Beqiri, në emisionin “Rruga Drejt…” ka thënë se Ahmeti duhet të mbajë llogari më tepër për përmbushjen e platformës shqiptare se sa për formimin e qeverisë.

Le të realizohen kërkesat tona dhe ne vazhdojmë më tutje. Nëse do ketë vendi qeveri apo jo, kjo duhet ti interesoj edhe palës tjetër – u shpreh Nazmi Beqiri, ish nënkryetar i BDI-së.

Pas dështimi të negociatave me VMRO-DPMNE-në për formimin e qeverisë së re, drejtuesit e BDI-së kanë shpeshtuar deklaratat për mundësinë e mbetjes në opozitë. Madje, edhe vetë Ahmeti ka thënë se partia e tij po shqyrton seriozisht këtë opsion.

BDI në opozitë sepse do ti zbardh të gjitha ato që i thash më lartë, pra akuzat se Ali Ahmeti është kriminel, BDI-ja është e kriminalizuar, Ali Ahmeti ka marrë miliona, Ali Ahmeti ka vrarë shokët e luftës – ka thënë Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Partia e Gruevskit është kërcënuar se nuk do të respektojë në të ardhmen parimin ‘fituesi me fituesin’ për formimin e qeverisë, nëse Ahmeti koalicionon Zevin.

burimi: Alsat-M