Lëvizja BESA, duke qenë e vetëdijshme për kompleksitetin e situatës, zgjidhjen përfundimtare e sheh në dy faza: zgjidhjen e problemeve akute dhe zgjidhjen problemeve afatgjata, mëson Gazeta Lajm.

Meqë kjo platformë për dalje nga kriza propozohet pas takimeve intensive që kanë realizuar udhëheqësit e kësaj partie me diplomatët në Shkup, supozohet se ky propozim ka përkrahje edhe nga faktori ndërkombëtar.

Në fazën akute, për shkak të mosbesimit momental që ekziston ndërmjet komuniteteve dhe subjekteve politike, Lëvizja BESA propozon të ngrihet një trup i pavarur për dalje nga kjo situatë në këtë përbërje: ambasadorët e akredituar në Shkup nga BE-ja, SHBA-të, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, një përfaqësues i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Maqedonisë, një i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, një i Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe një i Universitetit “Shën Cirili e Metodi” – Shkup – të gjithë këta në rolin e vëzhguesve dhe lehtësuesve të dialogut, ndërsa në anën tjetër, në rolin e propozuesve dhe vendimmarrësve, të jenë liderët e partive më të mëdha në vend, të cilët përmes dialogut dhe konsensusit do të propozojnë një mandatar ekspert, i cili për një afat të caktuar do të formojë një kabinet qeveritar po ashtu me ekspertë. Pas miratimit të atij kabineti, që do të jetë me mandat një deri në dyvjeçar, ajo qeveri do të krijojë parakushte për kthimin e besimit dhe përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Lëvizja BESA propozon që detyrat e kësaj qeverie të jenë:

Regjistrimi i popullsisë me mbikëqyrje ndërkombëtare;
Ndryshimi i ligjit për zgjedhje, pastrimi i listës zgjedhore dhe organizimi i zgjedhjeve të ardhshme me monitorim të fuqishëm ndërkombëtar;
Themelimi i Prokurorisë Speciale të pavarur me prokurorë eminentë ndërkombëtare dhe të vendit, për hetimin e hipotekave të deritanishme në bazë të materialeve të LSDM-së dhe akuzave të VMRO-DPMNE-së për puç.
Themelimi i Gjykatës Speciale të pavarur me gjykatës eminentë ndërkombëtarë dhe të vendit, për gjykimin e rasteve të ngritura nga Prokuroria Speciale.
Themelimi i një bordi të ri drejtues të RTVM-së nga ekspertë eminentë të vendit dhe ndërkombëtarë për të krijuar hapësirë të balancuar në mediume të të gjithë faktorëve relevantë politikë në Maqedoni.

Ndërkaq përbërja e re parlamentare, që do të formohet nga zgjedhjet e organizuara, duhet ta mandatojë një qeveri që do t’i marrë përsipër detyrat më të rëndësishme për të ardhmen e këtij vendi, si:

Ridefinimi i gjithë sistemit politik dhe juridik të Maqedonisë, duke e vendosur shtetit mbi parimet e konsensusit maqedonaso-shqiptar, të mbështetur mbi liri, demokraci, barazi dhe drejtësi;
Zgjidhja e problemit të emrit të shtetit me një emër që do ta reflektojë shoqërinë shumetnike të Maqedonisë;
Integrimi i vendit në NATO dhe hapja e negociatave për anëtarësim në BE;

Pasi të mbyllen këto çështje, Lëvizja BESA konsideron se mund të vazhdohet me qeveri politike deri në fund të mandatit ose të shkohet në zgjedhje që do ta verifikojnë mandatin e partive politike.

Lëvizja BESA konsideron se sot është momenti historik që të bëhet kjo. Andaj BESA i fton të gjithë aktorët politikë të vendit që ta marrin përgjegjësinë politike mbi vete dhe të ngrihen mbi interesat e tyre të ngushta grupore – nëse vërtet ia duan të mirën këtij vendi dhe nëse duan të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për të gjithë.

BESA i fton të gjitha subjektet politike dhe joqeveritare shqiptare, përveç dy partive që tashmë janë vasalë të pushtetit, që t’i bashkëngjiten kësaj platforme, për të ndërtuar një agjendë kombëtare, që do të jetë historike për të ardhmen e kombit tonë në Maqedoni, por edhe për vetë ekzistencën e shtetit.

Duke qenë të bindur se kjo është rruga e vetme për mirëqenien e këtij vendi, si dhe zgjidhja e vetme me të cilën shqiptarët do të ishin të kënaqur dhe do ta njihnin këtë vend edhe si shtet të tyre, Lëvizja BESA deklaron se nuk do të heq dorë nga kjo platformë, ndërsa refuzimi i saj vetëm mund të krijojë parakushte për forma të padëshirueshme reagimi, që edhe më shumë mund ta rëndojnë gjendjen në Maqedoni.

 

tregues

 

tregues2

 

tregues3