Alastair Campbell, ish-këshilltar për politikë të Jashtme i kryeministrit britanik Tony Blair, në librin “The Blair Years”, përshkruan operacionet ushtarake dhe veprimet politike që e detyruan Millosheviqin të pranojë marrëveshjen që i dha fund konfliktit në Kosovë, në qershor të vitit 1999.

Më 2 qershorit 1999, Marti Ahtisaari dhe Viktor Chernomyrdin ishin në Beograd, tek Slobodan Milosheviqi. John Sawers, këshilltar për politikë të Jashtme i kryeministrit britanik Tony Blair, e më vonë shef i shërbimit të kundërzbulimit në MI6, raporton se rusët kanë pranuar marrëveshjen që “plotëson të gjitha kërkesat tona”, porse mbetet problem konfigurimi i trupave të NATO-s në Kosovë, shkruan Alastair Campbell në librin me ditarët e tij, “The Blair Years”

Wesley Clark dhe Campbell – drejtor i sektorit të Komunikimit dhe Strategjisë në qeverinë e Blairit – këshillohen me Blairin se si britanikët dhe amerikanët nuk duhet t’u lejojnë asgjë rusëve, sidomos serbëve, që këta ta “tjerrin” tekstin ashtu si duan. Këtu Campbell bën një vërejtje interesante, duke thënë se inteligjenca britanike ka informacione se amerikanët megjithatë duan të “kënaqin së pari rusët” e pastaj, kur ta shohin tekstin përfundimtar të marrëveshjes, të analizojnë “se a i kënaq të gjitha kërkesat tona”.

Blair është më këmbëngulësi: kërkon që të gjitha kërkesat e Perëndimit të mbeten si në fillim: “Milosheviqi të pranojë gjithçka”!

Ditën tjetër, Campbell, në një konferencë për gazetarë, thotë atë që ia dikton Blair: “Duket se Milosheviqi e ka pranuar dhe e ka kuptuar mesazhin. Sa na përket neve, asgjë tjetër pos pranimit të kërkesave tona nuk vjen në shprehje”.

Pas një konference me gazetarët, redaktori i BBC-së, John Simpson, e thirri në telefon Campbellin: “Bravo, gjithçka ishte në stilin: gem, set dhe meç”!

Blair ishte i mendimit se kërcënimi me trupa tokësore dhe ndryshimi i qëndrimit amerikan në ndërkohë, e zhvendosën Milosheviqin nga pozicioni i tij.

Blair thotë: “Gjithçka ishte rezultat i vendosmërisë dhe këmbënguljes sonë”.

Në mëngjes, më 7 qershor, Campbell e thirri gjeneralin Clark, i cili sipas tij ishte i kënaqur se “i ka bombarduar serbët deri te mjerimi dikensian”, se NATO u shkaktoi serbëve “dëm real” dhe se janë “shkatërruar shumë njerëz të Milosheviqit”.

Fitorja duhej të propagandohej, kështu që Campbell udhëzon David Bradshawin, këshilltarin e Blairit, që të përpilojë tekstin ku rreshti kryesor do të jetë se “në Kosovë fitoi e mira mbi të keqen” dhe se tash na pret puna e rëndë: largimi i trupave serbe, që të vërtetohet se Milosheviqi do të përmbush ato që ka nënshkruar.

Këtu Tony Blair ndërhyn. Thotë se qëllimi është që Milosheviqi të privohet nga çdo kredibilitet dhe se do të jemi të njëjtë të fuqishëm dhe të ashpër derisa të përmbushet kushti i fundit: tërheqja e tij nga Kosova.

Gjithë ditën, më 11 qershor, Blair dhe Campbell merren me temën e lëvizjes së trupave ruse nga Bosnja në Kosovë. Instinkti i Clarkut, thotë Campbell, ishte që amerikanët menjëherë të shkojnë dhe të pushtojnë Aeroportin e Prishtinës, para se të arrijnë rusët.

Campbell përmend idenë e Clarkut për Blairin, i cili pastaj e pyet Campbellin: “A është kjo një këshillë që të dërgoj trupat tona që të luftojnë me rusët? Kjo është, atëherë, Lufta e Tretë… Thuaj Clarkut të tërhiqet pak, ta shohim fillimisht se çka synojnë rusët”!

“Rusët janë duke lëvizur në drejtim të Kosovës dhe parashutistët tanë ishin të gatshëm t’i largonin nga Aeroporti, që do të thotë se në fund ne edhe do të luftonim me ata rusë të ndyrë”, thuhet në ditar.

Kolona ruse niset nga Bosnja në Kosovë e Tony Blair ishte në pajtim me Clarkun që në Aeroportin e Prishtinës të dërgohen trupat e NATO-s. Amerikanët, vë në dukje Campbell, ishin të përmbajtur këtu. Sandy Berger, këshilltar i Bill Clintonit për Siguri Kombëtare, intervenon nga Washingtoni. Ai kërkon që të presim edhe pak, që të “zbutet” lideri rus, Boris Jelcin.

Kushedi se çfarë do të bëhej në këtë tollovi, sikur CNN të mos e jepte lajmin se ministri i Jashtëm rus, Igor Ivanov, lajmëron se lëvizja e trupave ruse drejt Kosovës ishte gabim. (r.m.) /illyriapress.com/