Verësimi i NATO-s rreth kryengritjes ngjan të jetë më se i qartë: Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogani, e ka organizuar vetë këtë grusht shteti kundër vetes. Megjithatë, nuk ka asnjë deklaratë me shkrim nga ana e NATO-s që ta provojë këtë vlerësim të saj.

Sepse kjo është një çështje shumë e ndjeshme. Sepse të gjitha vendet anëtare zotërojnë të drejtën për të pasur të dhëna informative nga shërbimet inteligjente përkatëse.

Shumë oficerë të lartë, gjeneralë me tri dhe katër zje si dhe të gjithë ata që kanë 30-40 vjet që kryejnë funksionin e këshilltarëve për oficerët turq me përvojë pesëvjeçare nuk besojnë që ky të ketë qenë një grusht shteti i mirëfilltë.

Nëse do të kishin qenë vetë Forcat e Armatosura të Turqisë organizuesit e kësaj kryengritjeje, ajo do të kishte qenë pa dyshim e suksesshme.

Sepse kështu ka ndodhur edhe në të shkuarën, në të kundërt si do të justifikohet që ishte e gatshme një listë me 1600 ushtarakë të lartë që do të pezulloheshin nga detyra menjëherë ditën e nesërme të përpjekjes për të rrëzuar qeverinë?

 

Tanket dhe avionët luftarakë

 

Në 15 korrik tanket bllokuan urën e Bosforit, avionët luftarakë sulmuan godinën e parlamentit dhe, ndërkohë, presidenti i vendit është duke pushuar në Marmaris. Mirëpo, ia del që të largohet prej andej me charter-in e tij personal.

Në lajmet e ditës tjetër u tha se grushti i shtetit u parandalua dhe për këtë do të nisë një valë spastrimesh e nevojshme në radhët e ushtarakëve, drejtësisë dhe drejtuesve të tjerë të lartë të vendit.

 

Përgatitjet kishin një vit që ishin bërë

 

Nga radhët e ushtrisë u hoqën nga detyra diku te 80-90 % e oficerëve turq që kryenin detyrën në NATO. Sipas burimeve të NATO-s, të gjithë ata që guxuan të ktheheshin në Turqi u arrestuan, madje një pjesë e tyre ka humbur edhe jetën.

“Oficerët turq që janë ende në komunikim të vazhdueshëm me NATO-n shprehen se Erdogani kishte një vit që po e përgatiste këtë “grusht shteti”, duke pasur gati edhe listën e njerëzve që do të largoheshin nga detyra si përgjegjës.

Po i njëjti burim i NATO-s shprehet se “unë nuk jam takuar ende qoftë edhe me një njeri të vetëm që të besojë se ka pasur mirëfilli një grusht shteti atë natë.”

 

Ai u përkufizua si narcist

 

Një nga think tank-et e përdorura rregullisht prej NATO-s botoi një raport ku e cilëson si narcist presidentin e Turqisë, Erdoganin. Sipas raportit informativ të tregtisë, përfaqësuesit e NATO-s dhe të gjitha anëtaret e saj janë njëherashi edhe pjesë e Qendrës Informative të Fuzionit (NIFCA).

Menjëherë pas grushtit të shtetit puna e parë që gjoja bëri presidenti turk ishte ndarja e ushtrisë nga forcat paramilitare Këto dy njësi ishin të mbledhura nën të njëjtën ombrellë dhe, megjithëse i përkisnin dy institucionesh me qëllime krejt të ndryshme, ata vishnin të njëjtën uniformë.

Veçanërisht xhandarmëria i mbeti besnike Erdoganit, duke marrë pjesë rregullisht në të gjitha spastrimet e ndërmarra prej qeverisë që prej muajit korrik. Dhe jo vetëm kaq, por në detyrë u ngritën menjëherë, me një të rënë të lapsit, shumë oficerë të cilët njiheshin veçse për mbështetje të flaktë të presidentit.

 

Reparti ushtarak i NATO-s në Mons të Belgjikës

 

NATO ka nënvizuar gjithashtu në një raport se një prej oficerëve turq të SHAPE-it është ngritur menjëherë në detyrë nga komandant në kolonel. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, John Stoltenberg, refuzoi që të ofronte edhe ai një interpretim të këtij raport, megjithatë zyra e shtypit e NATO-s iu përgjigj pyetjeve të drejtuara me shkrim. Në deklaratat e tyre thuhet se këto janë çështje që janë diskutuar edhe me politikanë turq.

Veç kësaj, në të theksohej edhe se përgjegjësit e grushtit të shtetit duhen gjetur dhe duhen nxjerrë përpara drejtësisë, duke pasur parasysh mbi të gjitha ligjin dhe duke respektuar të drejtat e njeriut.

Megjithatë zyra e shtypit e NATO-s nuk iu përgjigj pyetjeve që kishin të bënin me vlerësimet e NATO-s se kush fshihet pas grushtit të shtetit në Turqi.

Aldrimer.no u përpoq që të komunikonte edhe me zyrën e Presidentit të Turqisë për të kërkuar edhe deklaratat e tyre lidhur me këtë raport, mirëpo nuk pati asnjë përgjigje.

burimi: illyriapress.com


* Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim paraqesin mendimet dhe të drejtat e autorit, nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë së Manastiri Lajm.