Vetëm pak ditë pas përfundimit të vizitës së tij në SHBA, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati do të rikthehet në Uashington.

Sipas një burimi të Top Channel në kryeqytetin e Amerikës, Bushati do të udhëtojë më 19 prill, ku ai do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë si i ftuari i leitnand gjeneralit McMaster, këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare, njëri ndër tre “gardianët” e banorit të ri të Zyrës Ovale.

Ky i fundit u zgjodh nga Trump si një ndër personat më të afërt të tij, pas një karriere të gjatë në Ushtrinë Amerikane, duke nisur që nga Lufta e Gjirit, deri tek luftrat në Irak dhe Afganistan.

Ministria e Punëve të Jashtme nuk e mohon dhe as e pohon këtë lajm, por mendohet se tema kryesore e bisedës do të jetë rajoni, ku Shqipëria ka pasur një rol mjaft aktiv vitet e fundit.

Ky takim vjen pasi kreu i diplomacisë shqiptare u takua në Uashington me homologun e tij amerikan Rex Tillerson, gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm të Koalicionit Global Anti-ISIS, ku mes tyre është konfirmuar edhe njëherë bashkëpunimi për të luftuar Shtetit Islamik.