Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati mori mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zbatimin e reformës në drejtësi.

Gjatë vizitës në Uashington, Bushati u takua në Shtëpinë e Bardhë me zv/këshilltaren e Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, zonjën Kathleen McFarland, e cila deklaroi se “Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht partneritetin strategjik me Shqipërinë”.

Ministri Bushati u ndal mbi “nevojën për të bashkërenduar përpjekjet për të konsoliduar orientimin euro-atlantik dhe për të përmirësuar mjedisin e sigurisë në rajon, në përgjigje të faktorëve që synojnë të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, duke penguar kursin e reformave transformuese”.

Në këtë kontekst, McFarland rikonfirmoi “mbështetjen e fortë të SHBA-ve për jetësimin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës dhe në veçanti përpjekjet tona për jetësimin e reformës në drejtësi”, reforma të cilat ajo i cilësoi si jetike.

Ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë kontributin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, në kuadër të koalicionit botëror kundër ISIS-it dhe në misionet e NATO-s.

Gjatë ditës, Bushati do të takohet edhe me njeriun më të afërt të Presidentit Trump, këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, Herbert Raymond McMaster.