Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako priti në një takim ditën e sotme dy zyrtarë të FBI-së, ku u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me Policinë e Shtetit, ndërsa u theksua domosdoshmëria e forcimit akoma më shumë të bashkëpunimit me FBI.

Çako u takua me Atasheun Ligjor  të FBI-së, Jack Liao së bashku me Zv/atasheun , Michelle Miller dhe Agjentin Special të Krimeve Kibernetike, Dustin Overby. Përfaqësuesit e FBI-së janë oficerë rajonalë të kontaktit,  me seli në Sofie –  Bullgari , me përgjegjësi për marrëdhëniet e FBI-së me autoritetet Shqiptare dhe bëjnë vizita të rregullta koordinuese për të diskutuar çështje me interes të ndërsjellët të zbatimit të ligjit.

Duke shprehur konsideratën e lartë , Zyra Ligjore e FBI-së,   kërkoi që takimin dhe prezantimin e parë ta bëjë me Drejtorin e  Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako.

Atasheu i FBI-së vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm të Policisë së Shtetit me FBI-në, luftën që po bën Policia e Shtetit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit.

Çako falenderoi Atasheun e FBI-së për mbështetjen dhe besimin,  si dhe theksoi angazhimin maksimal të Policisë së Shtetit me autoritetet e zbatimit të ligjit të SHBA – së  për të shkëmbyer informacion në kohë reale mes dy institucioneve për të luftuar Krimin e Organizuar dhe Terrorizmin.

Çako dhe Liao theksuan domosdoshmërinë e forcimit  akoma më shumë të bashkëpunimit mes FBI-së  dhe Policisë së Shtetit./tch/