Votim në emër të të tjerëve, presion ndaj votuesve, blerje të votave dhe shkelje të heshtjes zgjedhore. Këto janë disa nga parregullsitë të cilat i ka raportuar organizata CIVIL që monitoron zgjedhjet. Xhabir Deralla nga CIVIL tha se vëzhguesit e tyre janë aktivizuar që nga ora 06:00, ndërsa deri më ora 09:00 kanë raportuar më shumë se 60 parregullsi. Ai sqaroi se në një vendbanim në Butel, vëzhguesi i kësaj organizate është larguar nga vendvotimi nga anëtarët e vendvotimit. Deralla gjithashtu tha se përveç rasteve të regjistruara nga vëzhguesit, ka një numër të madh të parregullsive që janë paraqitur nga qytetarët. Deri në këto momente, theksoi Deralla, nuk është regjistruar ndonjë rast ku është ushtruar dhunë.

“Një anëtar i vendvotimit ka bërë publike votën e tij, ndërsa pastaj e ka provokuar vëzhguesin tonë duke i thënë se “a edhe për këtë do të raportosh”, që është në kundërshtim me parimet për fshehtësi të votës dhe po ashtu paraqet edhe presion ndaj vëzhguesit tonë. Në Likovë, një vëzhgues partiak ka qëndruar pranë anëtarëve të vendvotimit, duke u treguar atyre se çka të bëjnë, ndërsa ata i kanë pranuar sugjerimet e tij”, tha Xhabir Deralla nga organizata CIVIL.