Krijimi i qeverisë së ardhshme maqedonase, përbën një interes të veçantë për Tiranën zyrtare. Fati i qeverise së Shkupit, varet ekskluzivisht nga qëndrimi që do të mbajnë partitë politike shqiptare.

Qeveria e R. Shqipërisë ka përgatitur një dokument këshillues për të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni, ku përcjell qëndrimin e saj rreth qëndrimit të faktorit shqiptar në vendin fqinj.

Vizion Plus ka mësuar se kryeministri Edi Rama, do t’ia përcjellë këtë letër, në takimet që do të ketë ditën e enjte me drejtues dhe përfaqësues të subjekteve politike shqiptare. Interesi më i madh i Tiranës zyrtare është ai për të pasur një përfaqësim sa më të plotë në qeverinë e ardhshme të Shkupit, me qëllim, ushtrimin e presionit pozitiv për të mbrojtur interesat e popullsisë shqiptare në Maqedoni.

Këtij dokumenti i ka paraprirë një takim që kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar me kreun e BDI-së Ali Ahmeti në Tiranë, pak kohë më parë. Në qendër te takimit, ka qenë rezultati i zgjedhjeve në Maqedoni dhe theksi është vendosur tek fakti që shqiptaret kanë rol përcaktues në kabinetin e ri qeverisës.

Pas rezultatit zyrtar të shpallur nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, rezultoi se VMRO-DPMNE, partia e kryeministrit të detyre, Nikola Gruevski, mori 51 deputetë, LSDM e opozitarit Zoran Zaev 49 deputetë, ndërkohë që partitë shqiptare: BDI me 10 deputetë, Lëvizja Besa 5 deputetë, Aleanca për Shqiptarët 3 deputetë e PDSH vetëm 2 deputetë. Ajo që ra më shumë në sy nga votimi i 11 dhjetorit, ishte fakti se shqiptarët në masë votuan për partinë maqedonase LSDM, tregues i një revolte ndaj partive politike shqiptare, të cilat për elektoratin e tyre nuk ka përmbushur pritshmërinë në mbrojtje të interesave.

Në një intervistë të pak kohëve më parë, deputeti shqiptar i zgjedhur nga listat e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Muhamed Zekiri, ka theksuar se partisë së Nikolla Gruevskit, nuk i duhet dhënë asnjë shans për të qeverisur Maqedoninë, kjo për shkak të persekutimit që regjimi i VMRO-DPMNE i ka bërë shqiptarëve. Ai theksoi se zgjidhja për të refuzuar njëherë e mirë regjimin e Gruevskit është një qeveri e krijuar nga LSDM, ku pjesë do të jenë edhe partitë shqiptare.