Aktorja shqiptare, Almeda Abazi do të veshë fustanin e bardhë më 13 Shkurt, ditën që mbush 25 – vjeçe. Kjo ka qenë surpriza romantike që Abazi ka marrë nga i dashuri i saj, Tolgahan Sayisman, një prej aktorëve më të famshëm turq.

Shqiptarja është në lidhje dashurie me aktorin turk prej dy vitesh, ndërsa në Nëntor 2016 ata u fejuan dhe filluan përgatitjet për dasmë. Çifti pritej të martohej në Pranverë, por Sayisman ka vendosur qe ditëlindjen e Almedës ta bëjë edhe më të paharrueshme.

“HT Magazine” thotë se Almeda e mësoi datën vetëm kur shkuan në zyrat e Gjendjes Civile për të caktuar datën e dasmës. “Kur dëshironi të martoheni,” pyeti zyrtari dhe Sayisman u përgjigj: “Dëshirojmë të martohemi më 13 Shkurt.”

Sipas medias turke, Almeda fluturoi nga gëzimi me të mësuar datën. “Më emocionove shumë,” tha Almeda teksa e përqafonte dhe falenderonte të dashurin e saj.

Almeda Abazi, e cila ka lindur në vitin 1992 në Shqipëri, është zgjedhur Miss Albania dhe Miss Globe në vitin 2008. Më pas ajo është zhvendosur në Turqi, ku ka marrë mësime aktrimi dhe përveç të tjerash ka luajtur edhe në telenovelën “Sulejmani i Madhërishëm”.

Në Dhjetor 2015, Almeda ka prezantuar “Këngën Magjike”, së bashku me Ardit Gjebrean.

I dashuri i saj, Tolgahan Sayisman është një prej aktorëve më të pashëm dhe më të paguar turq. Abazi dhe Sayizman cilësohen si një prej çifteve më të bukura turke dhe janë gjithnjë në vëmendjen e medias.