Është shoqëruar me debate të forta seanca e sotme në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të votohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.

Në fjalën e mbajtur kryeministri Ramush Haradinaj ka lëshuar kritika në drejtim të LDK-së, pas kontestimeve që kanë këta të fundit për raportin e Komisionit të Bulliqit, pjesë e pakos së demarkacionin.

Kreu i qeverisë i ka pyetur deputetët e pranishëm në sallë se si s’ju vjen turp për qëndrimet e tyre. Ai theksoi se një votim kundër demarkacionit i lë qytetarët e Kosovës pa viza.

“Kemi mbërri me ardh me një materie para juve deputetëve, e para ligji që ka ardhur tek ju e ratifikon marrëveshjen e 26 gushtit 2015, Qeveria e vendit të juaj ka formuar një komison që të shihen ato dilema, nuk është i Ramush Hradinaj por i Kosovës. Ku po iu dhemb o vllezër e motra. Çka keni kundër territorit tuaj. Spo iu vjen marre. Marre iu qoftë. Marre iu qoftë. Këtë e keni problem a, po iu pengon që po kërkohet me u kthy guri atje a? Këtë e keni problem a? Po kërkoni me relativizu raportin. Epo sa të jem unë jo…Kësaj pako nuk i hjek as edhe një shkronjë, sa të jem unë jo. Atëherë lejini qytarët pa viza”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai gjithashtu duke u drejtuar deputetëve tha se duhet të ju vij marre (turp) ata që nuk e votojnë këtë version.

“Pse po ju pengon ky raport, nëse keni problem kallxoni bre, jo sa të jam unë. Komisioni i Republikës ka prodhu një raport pse po ju dhem ky raport”, pyeti kryeministri i Kosovës. Ai me një gjuhë të ashpër shtoi se “Asnjë germ nuk ndryshon, ky version qëndron”.

Pas deklaratave të ashpra të kryeministrit Haradinaj ka reaguar shefi i Grupit parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti duke thënë se dihet kush është tradhtar e kush patriot.

“…Kush është patriot e tradhtar dihet. Që tri vite është prolonguar kjo çështje. E lus kryeministrin të jetë i kujdesshëm kur t’i drejtohet 27 deputetëve, që janë më e madhe se partia e tij”, tha Hoti.