Edhe pse neni 19 i Ligjit për media të Maqedonisë, na jep të drejtën e mos-botimit të demantit në raste kur i njëjti nuk përmban informata ne lidhje me gjetjet e tekstit medial, apo më saktë “korrigjimi nuk përmban të dhëna lidhur me konstatimet në informatë” redaksia jonë megjithatë duke mos dashur tua mohojmë lirinë e shprehjes dhe mundësinë për t’ia qartësuar opinionit se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, vendosi ta botojë demantin e Komunës së Sarajit në lidhje me informatat se ish kryetari i kësaj komune, Blerim Bexheti dyshohet se i ka dhënë tender në vlerë 810.000 euro, shefit të kabinetit të tij.

Edhe pse nga po i njëjti nen (19) kemi të drejtë mos e botojmë informatën nëse ajo përmban ofendim ose shpifje e në këtë rast Komuna e Sarajit na ofendon neve duke na quajtur “tendenciozë dhe që pasojmë të pavërteta” gjë që ata duhet të kërkojnë faje, ne megjithatë e botuam.

“Gazetari do të tentojë që të sigurohet e drejta për korrigjim, demant dhe përgjigje, në ato raste kur vërtetohet pasaktësia e informatës”, thotë Kodeksi i gazetarëve të Maqedonisë, neni 3, dhe ne këtë do e bëjmë, por duke pasur parasysh togfjalëshin “kur vërtetohet pasaktësia e informatës” me dëshmi dhe jo deklarativisht.

Pasi që lajmi jonë është bazuar në dokumente të institucioneve, Komuna duhet ta ketë parasysh edhe këtë se sipas Ligjit për përgjegjësi civile për ofendim dhe shpifje, neni 10, gazetarët NUK mbajnë përgjegjësi nëse “nxirret ose bartet pohimi që është përmbajtur në lajmërim, vendim ose dokument tjetër të organit shtetëror, institucionit ose personit juridik, ose është nxjerrë në takim publik, në procedurë gjyqësore, ose manifestim tjetër publik të aktivitetit të organeve shtetërore, institucioneve, shoqatave ose personave juridikë ose bartet pohimi që është lajmëruar publikisht nga tjetri;”.

Ky demant prej tre paragrafësh nuk jep asnjë dokumentacion apo dëshmi që shkrimi i jonë nuk ka bazë të vërtetë, por paraqet mohim deklarativ i informatave tona të plasuara në opinion. Madje, Komuna nuk mohon që tenderi i është dhënë shefit të kabinetit të Komunës, Bekir Muhamedi nga f.Shishovë, gjegjësisht kompanisë BEKOM BEKIR DOOEL me seli po ashtu në f.Shishovë që figuron në emër të vëllait Said Muhamedi.

Më tej, Komuna Saraj pretendon që 95 për qind e projektit për kanalizimin fekal për vendbanimet Shishovë, Gërçec dhe Gllumovë është realizuar duke mos shtuar asnjë dëshmi që kjo në të vërtetë është kështu.

Komuna e Sarajit madje kërcënohet me padi penale nëse nuk kërkojmë falje. Ne informojmë lexuesit tanë se Portalb nuk ka pse të kërkojë falje sepse në asnjë moment nuk ka pasur tendencë apo qëllime të denigrimit të dikujt, por thjeshtë, jemi në mision për të zbardhur të vërteta. Ne kemi detyrë të kërkojmë llogari-dhënie nga çdo funksionar i cili menaxhon me paratë e popullit, e ata janë paratë tona!
Ne nuk ndalemi në luftën tonë për të vërtetën andaj kërcënimet e këtilla nuk do të na mbrapsin./Portalb.mk/