Në sallën e Gjykatën Supreme nesër do të vazhdoj gjykimi për rastin “Lagjja e Trimave”. Seanca do të jetë e hapur për opinionin ndërsa pritet që të japin dëshminë e tyre disa dëshmitarë.

Të premten e kaluar dëshmitarët e rastit të Kumanovës, Shaban Jashari, Murat Lutfiu dhe Viktor Denkovski nuk u paraqitën në seancën për të dhënë dëshmitë e tyre. Megjithatë, gjykatësja Verka Petrovska, kërkoi që para të akuzuarve, trupit gjykues dhe pala mbrojtëse të lexohet dëshmia e dhënë para prokurorisë publike e dëshmitarit Shaban Jashari.

Këtë fillimisht e kundërshtuan avokatët mbrojtës duke thënë se bëhet shkelje Ligjit penal, megjithatë gjykatësja ia lejoi këtë prokurorit Naum Panovski.

“Më 5-6 maj kam vërejtur një person me uniformë në shtëpinë e Fadil Fejzullahut. Të nesërmen e kam pyetur Fadilin se kush janë dhe ai më ka thënë se janë UÇK dhe se kanë ardhur për ne. Unë i thash që a duhet dikush të eksperimentojë me ne. E pyeta kush i solli, nuk mu përgjigj. Ditëve në prapë kam vërejtur persona të panjohur në oborrin e Fadilit. Pash se mbanin armë të tipit kallashnikov. Krismat më 9 maj na frikësuan, u dëgjuan eksplodime, dëgjova britma ‘ura UÇK’, Sokoli jepte komanda”, tha dëshmitari Shaban Jashari.

Avokatët mbrojtës e hodhën poshtë dëshminë e Jasharit, dhe akuzoi trupin gjykues se me këtë ka bërë shkeljen e nenit 388 nga Kodi Penal. Ata kërkuan që dëshmitarët domosdoshmërish të jenë prezent ose deklarata e dëshmitarit Jashari të transmetohen me zë, pasi ajo është dhënë tek prokurorë që tani më nuk merren me këtë rast, por edhe se dëshmitari nuk ka dhënë betim para dhënies së dëshmisë.

“Ne e kundërshtuam leximin e deklaratës së dëshmitarit të propozuar nga ana e Prokurorisë për krim të organizuar. Sipas nenit të ligjit për Procedurë penale 388, është në kundërshtim që të lexohet dëshmia të cilën e ka dhënë dëshmitari para prokurorisë ose në procedurë paraprake, ku bëhet një lëshim drastik, se bëhet fjalë që ai dëshmitar kur e ka dhënë atë dëshmi nuk është thirr as në përbetimin që është paraparë sipas ligjit për procedurë penale dhe për këtë e kundërshtuam leximin e kësaj deklarate”, tha avokati mbrojtës, Mefail Asllani.