Prokuroria Themelore Publike- Shkup ka ngritur aktpadi për personin i cili në ngjarjet e dhunshme në Kuvend në 27 prill e sulmoi Radmila Sheqerinskën, në cilësinë e deputetes nga radhët e LSDM-së. I akuzuari ngarkohet për veprën penale “Dhunë” për të cilën parashihet dënim me burg prej tre deri në dhjetë vite.

“Personi ngarkohet se gjatë ngjarjeve në institucionin ligjvënës ka kryer dhunë të rëndë, duke tërhequr për flokë deputeten në Kuvend. E dëmtuara në këtë rast ka marrë lëndime të rënda fizike”, thanë nga Prokuroria Themelore Publike – Shkup.

Tre muaj pas incidentit të përgjakshëm në Kuvend, prokuroria refuzon të përgjigjet nëse deputetët e VMRO-DPMNE-së, Kërsto Mukoski dhe Sashe Vasilevski janë ftuar në bisedë, edhe pse nga filmimet e kamerave të Kuvendit që u shfaqën në opinion shihet se si të dy deputetët i hapin dyert që turma të futet në Kuvend.

“Procedura në këtë lëndë është në fazën parahetimore. Janë duke u grumbulluar dëshmi për të vlerësuar nëse në këtë ngjarje që po hetohet ka veprime të veprës penale dhe kush janë kryerësit e tyre, pas çka do të merret vendim i Prokurorisë Publike për atë nëse ka dyshim të bazuar për hapjen e hetimit. Vazhdimisht ftohen të gjithë personat pa marrë parasysh statusin ose pozitën e tyre personale dhe shoqërore, por vetëm në bazë, përkatësisht nëse për personin ka dëshmi në këtë fazë të procedurës”, thanë Prokuroria Themelore Publike – Shkup.

Deputetët deri më tani në pyetjet e gazetarëve mbroheshin duke thënë se nuk ndjehen fajtor për incidentet në kuvend. Për ngjarjet e 27 prillit, Prokuroria Themelore ka proceduar nëntë kallëzimi penale për pjesëmarrje në turmë. Të gjithë të dyshuarit u dënuan me kusht, përveç dy prej të dyshuarve të cilët morën kallëzime penale nën dyshimin se kanë kryer veprën penale -tentim për vrasje ndaj deputetit dhe kreut të LR-PDSH-së Ziadin Sela. Dy të dyshuarit për sulmin ndaj Selës, Kire dhe Cane Gjeorgjievski edhe më tej janë në paraburgim. Prokuroria Themelore paraprakisht njoftoi se nga hetimet paraprake është zbuluar se në ngjarjet e dhunshme në Kuvend ka elemente të krimit të organizuar dhe për këtë kërkoi ndihmë nga Prokuroria për Krim të Organizuar./ Alsat-M