Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, ka ripotencuar se luftimi i korrupsionit, në nivele të larta, mbetet kriter i domosdoshëm për t’ua mundësuar kosovarëve lëvizjen në BE pa viza. Sipas tij, kjo duhet të ndodhë, pa marrë parasysh sa e ndërlikuar është si çështje.
Braathu, në konferencën e lansimit të projektit të dytë për fuqizimin e kapacitetit të institucioneve të Kosovës në luftimin e korrupsionit të lartë, tha se misioni që ai drejton do të vazhdojë të jetë i përkushtuar në ndihmë për zhvillimin e kapaciteteve efikase dhe efektive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

“Është me rëndësi që ligjet të zbatohen, ligjet ekzistojnë realizimi i tyre zbatimi i tyre në fakt nuk është në nivelin e duhur. Ka zhvillime pozitive nuk do të them se çdo gjë është zi, por e dimë dhe jemi të vetëdijshëm se mund të bëhet shumë më shumë në mënyrë që të kemi një zbatim të mirëfilltë të kornizës ligjore”, citohet të ketë deklaruar Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.

Tutje, ai si element kyç për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ka përmendur konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurive të përvetësuara në mënyrë të paligjshme.

Nga ana tjetër, Ambasadorja gjermane në Prishtinë, Angelika Viets, ka deklaruar se luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë kërkon vullnet të palëkundur politik.

“Krijimi i një historiku pozitiv të trajtimit të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, krimeve të tjera të tilla mbetet një nga dy kushtet kryesore për liberalizimin e vizave, por jo vetëm kaq. Unë e di që luftimi i korrupsionit është një betejë e mundimshme dhe nënkupton ndryshime radikale të mendësisë dhe në veçanti kërkon vullnet të fortë, të palëkundur politik dhe shpesh herë madje edhe këtë vit shpeshherë e shohim që kjo po mungon”, ka thënë gjatë konferencës, ambasadorja Viets.