Djathi i dhisë së Hasit u promovua në panairin që u zhvillua në Bjeshkën e Krumës. Sipas kreut të bashkisë, djathi i njohur i zonës së Hasit ka markën e cilësisë, por duhet bërë më shumë për ta shpërndarë në të gjithë vendin.

“Krahas dhisë së Hasit janë edhe shumë elementë të tjerë të cilëve duhet t’u përkushtohemi, siç janë ngritja e baxhove për tregun e qumshtit dhe nënproduktet e tij, sidomos i djathit të dhisë, që ka nevojë për marketing pasi është djathi numër një në rajon dhe Europë”, tha kryebashkiaku Adem Lala.

Panairi kishte si qëllim nxitjen e blegtorëve hasjanë për mbarështimin e dhisë së Hasit dhe rritjen e standardeve të produkteve të bulmetit.

“Qëllimi i panairit ishte promovimi i dhisë së hasit e sidomos produktit kryesor të saj, kecat e hasit, të regjistruar tashmë si markë e lidhur me territorin. Si një tregues gjeografik”, tha Petrit Dobi, specialist i blegtorisë.

Bashkia e Hasit inkurajoi me nga një çmim në vlerë monetare çdo blegtor që mori pjesë në këtë panair me tufën e tij.