Drejtori sportiv i Peskarës, Luka Leone, ka folur në studion e “Sportitalia” në lidhje me disa tema të ndryshme që kanë të bëjnë me skuadrën që po rrezikon seriozisht rënien në Serinë B sezonin e ardhshëm. Ndër të tjera, ai ka folur edhe për problemet që ekipi ka shfaqur në sulm, ku është prekur çështja e sulmuesit të kombëtares shqiptare, Rei Manaj.

“Në fillim të sezonit na u krijuan iluzione se do ia dilnim mbanë me lojtarët që kishim, si për shembull Manaj. Sidomos në ndeshjet e para, ato ndaj Napolit dhe Sasuolos, krijuam shumë raste për shënim dhe në atë muaj lojtarët jepnin garanci edhe në fazën sulmuese, por më pas rezultoi kështu”, ka thënë Leone.

Manaj u huazua në verë nga Interi te Peskara në mënyrë që të kishte mundësinë të aktivizohej për të fituar eksperiencë, por aventura e tij u mbyll shumë shpejt pa lënë gjurmë. Për më tepër, sulmuesi shqiptar shfaqi edhe probleme disiplinore, ckka në një moment detyruan trajnerin Odo ta pezullonte.