AUTOR: XHEVDET HAJREDINI

hajrediniVMRO-ja në skenën politike në Maqedoni ka dalë, ka qëndruar dhe qëndron si parti radikale anti shqiptare.
Që nga themelimi i saj, me propagandë të vrazhdë antishqiptare e fitoi numrin më të madh të deputetëve në 1990 dhe refuzoi të bëjë koalicion me partinë shqiptare e cila e fitoi mbështetjen e gjithë votuesve shqiptarë.

Më vonë, me nxitjen dhe ndihmën e UDB-së, SHIK-ut dhe Sali Berishës, u paraqit në skenën politike një grup shqiptarësh i cili, pasi dështoi në përpjekjen për uzurpimin e Partisë për Prosperitet Demokratik, formoi parti tjetër dhe vazhdoi të veprojë duke bërë zhurmë me parulla patriotike SHQIP, SHQIP, SHQIP. Shumica dërmuese e shqiptarëve të Maqedonisë përherë e kanë pasur të qartë se çarë është roli I kësaj partie dhe këtë e kanë dëshmuar në të gjithë zgjedhjet e mëvonshme. Nuk arritën asnjëherë ta fitojnë mbështetjen e shumicës së votuesve shqiptar në Maqedoni. Arritën deri atje saqë ti humbin edhe votat e shqiptarëve të Komunës së Studeniçanit, ku e kanë të vetmin kryetar Komune. Ju kanë ngel tash vetëm shpresa se ndoshta do ti fitojë zgjedhjet në çerek shekullin e ardhshëm.

Këtë parti VMRO-ja, pa mbështetjen e shumicës së votuesve shqiptar, kur erdhi në pushtet, e mori në qeveri, edhe pse si zakonisht I humbi zgjedhjet e 1998. Gjatë krizës së refugjatve qeveria në të cilën merrnin pjesë edhe ministrat e kësaj partie, nuk lejoi të kalojë në Maqedoni vetëm treni me refugjat nga Kosova në të cilin gjendej veprimtari I shquar I lëvizjes për çlirimin e Kosovës dhe bashkëpuntori i parë i Ibrahim Rugovës Fehmi Agani, emrin e të cilit, për çudi, nuk e mban autostrada Prishtinë-Han i Elezit. Ngel vetëm të supozohet se kush e informoi UDB-në serbe e cila e kreu aktin mizor të vrasjes së Fehmi Aganit.

Më 2006 VMRO-ja, tashmë në krye me Nikolla Gruevskin, pas një fushate parazgjedhore fashiste anti shqiptare, përsëri I fitoi zgjedhjet dhe përsëri në qeveri e ktheu humbësin e përhershëm shqiptar. Periudhën e ardhshme dy vjeçare të bashkqeverisjes me PDSH-në, një shovenist ekstrem anti shqiptar i VMRO-së Toni Naunovski e konsideron si më të lumturën për popullin maqedon.

Në 2008 faktori ndërkombëtar më në fund I kuptoi lojrat e kriminelit Nikolla Gruevski dhe ia bëri me dije se më nuk do lejojnë në qeveri ta merr humbësin shqiptar. Në zgjedhjet e 2008, edhe me mbështetjen e policisë, të cilën ia dha në dispozicion Gruevski, PDSH-ja I shndërroi vendvotimet në “kasaphanë” siç u kërcënua një dit para votimeve lideri I saj. Ishte Havier Solana, Komisari I lartë për politikë të jashtme I BE-së, ai që e detyroi Gruevskin ti përsëris zgjedhjet në afër 200 vendvotime dhe “kasapët” e PDSH-së të dënohen. Sigurisht Gruevski mbas kësaj i ka thënë Thaçit “më fal o mik, un kaq munda të ndihmoj”. Qëllimin që me çdo kusht ta fitoj shumicën e deputetëve definitivisht nuk e arriti.

Gjet Nikolla Gruevski mik tjetër, poashtu besnik “deri në vdekje” i cili plot tetë vjet i ndihmoi në tërësi ta realizojë programin e ashtuquajtur “Rilindja në 100 hapa” të partisë së vet.

Tash në radhë është një mashtrim tjetër I madh I cili filloi para dy ditëve në hotelin “Aleksandër Palace”. Premton se do ti realizojë kërkesat strategjike të shqiptarëve i njëjti i cili brenda pesë viteve kur me Gruevskin e pat shumicën e 2/3 në kuvend, nuk i realizoi as ato jostrategjike. Kjo mundësi shqiptarëve në Maqedoni nuk do t’iu jepet në të ardhmen asnjëherë. Pa marrë parasysh se me cilën parti maqedonase do hynë në koalicion. Nuk ka dyshim se në qeveri do të hynë edhe duke i pranuar premtimet verbale, qoftë të Gruevskit, qoftë eventualisht, të Zaevit, duke u arsyetuar se ashtu na kanë sugjeruar ndërkombëtarët dhe Shqipëria. Shumë i bëhet vonë Edi Ramës, e veçanërisht Ilir Metës dhe ndërkombëtarëve se a do të realizohen me të vërtet doktrinat e Ali Ahmetit, apo jo. Për Ilir Metën mjafton shqiptarët ta ftojnë në dasëm kur i martojnë djemtë tyre.

Rezultatet e zgjedhjeve të 11 dhjetorit 2016 e treguan qartë se shqiptarët e Maqedonisë më nuk u besojnë pallavrave të “liderëve tanë”. “Liderëve” të cilët edhe në vendlindjen e tyre nuk guxojnë të lëvizin lirshëm, nuk dalin nga veturat e zeza të blinduara, me kallasha në bagazh, të pajisur me jelekë antiplumb, dhe me dritare të errëta. Gjorge Ivanovi të cilin “nuk e njohin” dhe Çavkovi marrin masa të posaçme që ti mbrojnë nga rreziku se dikush mund të bëjë atentat mbi to. Është e sigurt se rreziku nuk iu kërcënohet për shkak se kërkojnë dhe realizojnë shumë të drejta për shqiptarët.

Një mesazh të fuqishëm, sado simbolik, “liderët tanë” e morën dje edhe nga shqiptarët e vendvotimit nr. 20 11 në Tearcë, ku u përsëritën zgjedhjet. Përsëri dolën në zgjedhje dhe partive “tregtare të patriotizmit”, sa për ngushëllim, ua hodhën nga një votë. Mund ta marrim me mend se çka do të ndodhte sikur zgjedhjet të përsëriteshin në më shumë vendvotime.

Nuk refuzoi Ali Ahmeti të takohet në Tiranë me partitë tjera për shkak se e kishte agjendën shumë të ngjeshur, por deshi t’iu tregojë se ai nuk është i barabartë me to duke kërkuar nga udhëheqësit e Shqipërisë vizita e tij në Shqipëri të trajtohet me protokoll si vizitë e burrit të shtetit. Të realizojë takim me presidentin, kryeparlamentarin, kryeministrin dhe kryetarin e partisë opozitare.

Tash për tash, takimet që do të realizohen gjoja për harmonizimin e platformave, kanë për qëllim, mundësisht, të sigurojnë së paku 67 deputetë bashkë me VMRO-në me qëllim që ta shpëtojnë jo vetëm Gruevskin nga përgjegjësia penale, por edhe disa nga kreu I BDI-së. Të shpëtojnë nga ftesat e Fatime Fetait qoftë edhe si dëshmitarë por edhe të dyshuar dhe të akuzuar.


* Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim paraqesin mendimet dhe të drejtat e autorit, nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë së Manastiri Lajm.