Nëntë shkurti, dita kur u mbajt konferenca e parë për media nga projekti “E vërteta për Maqedoninë”, sipas LSDM-së do të mbetet datë e ndritshme në historinë politike të Maqedonisë, por edhe në korniza rajonale dhe botërore si porosis se nuk ka ikje nga e vërteta dhe se nuk ekziston dikush që është i paprekshëm për drejtësinë.

Në kumtesë LSDM-ja thekson se kaluan saktë dy vite nga publikimi i konferencës së parë për media nga ky projekt.

“Do të ketë jetë dhe do të ketë drejtësi në Republikën e Maqedonisë. Kështu vendosën mbi 612.000 qytetarë nga të gjitha bashkësitë etnike të cilat zgjodhën ndryshime”, theksojnë nga LSDM-ja dhe shtojnë se një shumicë e madhe qytetarësh përgjegjës me stilolaps dhe votë më 11 dhjetor zgjodhën jetë.

Shtojnë se qytetarët zgjodhën qeveri të re përgjegjëse dhe, siç theksojnë, vetëm një qeveri e tillë sjell jetë për të gjithë në Maqedoni dhe perspektivë për shtetin.