Sindikata për shërbime diplomatike e Maqedonisë njoftoi për parregullsi dhe ndërhyrje partiake në procesin e organizimit të zgjedhjeve në diasporë. Në një komunikatë për media nga Sindikata alarmojnë se Ambasadat e Maqedonisë në diasporë shfrytëzohen nga përfaqësues politik për paraqitjen e votuesve nga diaspora dhe për nxitjen e përçarjes ndëretnike dhe fetare. Ata drejtojnë gishtin te përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, gjegjësisht tek nëpunësi Darko Stefanovski që sipas tyre ka qëndruar në ambasadën e Parisit deri në afatin e fundit të paraqitjes së votuesve nga diaspora, për të regjistruar sa më shumë shtetas.
“Procesi i paraqitjes së qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare përsëri zbatohet me manipulimet e njëjta, sistem dhe aktorë të njëjtë si në zgjedhjet e vitit 2014. Shfrytëzimi i këtillë i Ambasadave nënkupton shembull drastik të keqpërdorimit të diplomacisë tonë për qëllime politike”, theksojnë nga Sindikata e diplomatëve.
Sindikata thotë se kjo është përsëritje e manipulimeve të vitit 2014 dhe kërkon që Ministria e Jashtme të hulumtojë si keqpërdoren ambasadat. I pyetur për mënjanimin e parregullsive të shumta të zgjedhjeve të kaluara në diasporë, nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, javë më parë tha se KSHZ-ja është e obliguar të sigurojnë proces të besueshëm, përcjell alsat.
“Zgjedhjet e kaluara në diasporë janë realizuar në një mënyrë tjetër kurse tani kemi vetëm një njësi zgjedhore kështu që ne e kemi obligim ligjor që t’i mënjanojmë të gjitha mundësitë e parregullsive sepse jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve dhe ne si KSHZ
jemi të obliguar dhe të vendosur që të sigurojmë zgjedhje të besueshme”, deklaroi Rexhep Prekopuca, nënkryetar i KSHZ-së. Për të votuar në diasporë, në KSHZ janë paraqitur rreth 20 mijë votues.