Gjatë ditës së sotme ai nuk ka dhënë asnjë shenjë se diçka nuk shkonte me të. Por paptritur teksa ka shkuar në punë në Rafinerinë e natës në qytetin e Fierit, 59-vjeçari Agim Mydini ka ndërmarrë një akt ekstrem duke hipur në oxhakun me lartësi rreth 40 m metra. Me një shishe me benzinë në duar ai kërcënon të vetëdigjet.

Sipas punëtorëve të rafinerisë, ata kanë rreth 4 muaj pa marrë pagat. Prej kohësh ata kanë protestuar për këtë fakt, por teksa zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhër, 59-vjeçari është ngjitur në një prej oxhaqeve të rafinerisë.

Prej më shumë se gjysmë ore në lartësi duke kërcënuar me vetëflijim, veçse në një gjendje të rënduar psikologjike, Mydini tashmë është edhe i sforcuar fizikisht. Rreth zonës ku ai kërcënon me vetëvrasje janë edhe forcat e policisë dhe ato të ndihmës së shpejtë, por deri më tani të gjitha negociatat për ta bërë të zbresë nga lartësia, kanë rezultuar pa fat.

Por ajo që është më prekëse në këtë situatë të rënduar, është prania e fëmijëve dhe bashkëshortes. Ata mbërritën në rafineri me të mësuar lajmin, ku thirrjet e tyre dëshpëruese dëgjohen edhe në këtë video nga vendngjarja.

Djali 10-vjeçar lutet mes lotësh babait që të zbresë.  “O ba të lutem, zbrit poshtë, o ba të lutem…”. /Gazeta Express/