Autori: Mero Baze

Kriza e Maqedonisë dhe përleshjet e përgjakshme në parlamentin e Shkupit, kanë kthyer seriozisht vëmendjen e Perëndimit nga rreziqet që po prodhon në Ballkan injorimi i rregullave të lojës së demokracisë nga politikanë të korruptuar.

Ajo që ndodhi në Maqedoni, në dukje është një betejë e nacionalistëve maqedonas ndaj shqiptarëve, por në fakt nuk është ashtu. Ajo është betejë e një klike të korruptuar, që nuk pranon të iki nga pushteti, edhe pse nuk ka vota. Është një përpjekje e hapur për të injoruar rregullat e lojës në një shtet demokratik, duke tentuar të mos përfillin rregullat e pranuara. Dhe kjo në fakt është e përbashkëta e krizës maqedonase me atë shqiptare.

Në Shqipëri kriza politike, e cila po menaxhohet me kujdes nga Perëndimi, ka në thelb të njëjtën arsye. Një parti politike e ikur nga pushteti me vota, dhe këmbëngulëse për të mos u reformuar, por për të sjellë sërisht në krye njerëzit që janë larguar nga pushteti me votë, nuk pranon të hyjë në zgjedhje se humbet, dhe po bën përpjekje për të degraduar sistemin, për të shkaktuar krizë artificiale dhe për të marrë pushtetin në tavolinë.

Të dyja partitë, si ajo e Gruevskit, ashtu dhe ajo e Berishës, po përdorin shantazhin e dhunës si mjet kryesor për të mposhtur kundërshtarin. Gruevski futi një bandë rrugaçësh në Kuvend për të goditur kandidatin për kryeministër dhe një parlamentar shqiptar, ndërsa Berisha kërcënon se nuk të lejojë qytetarët të votojnë më 7 maj dhe 18 qershor, duke futur banditë në qendër të votimit, për të thyer kutitë e materialeve zgjedhore.

Në Maqedoni, Gruevski po përdor pushtetin që ka ende për të motivuar banditët, në Shqipëri opozita po përdor ish- zyrtarët e korruptuar dhe banditë ordinerë, për të shantazhuar institucionet.

Tani që gjithë perëndimi ka vëmendjen në Shkup dhe po inkurajon shumicën e re të formojë institucionet, partia e Berishës në Tiranë, është në një gjatësi vale me Gruevskin lidhur me shkaktarët e kësaj krize.

Gazeta zyrtare e Partisë Demokratike, “RD”, shkruan në një koment të saj, se shkaktare për trazirat në Maqedoni nuk është linja pro ruse, siç thonë, pasi sipas gazetës, “për këtë nuk ka fakte”, por është Edi Rama që ka futur hundët në punët e Maqedonisë (gazeta “RD”, data 9 prill.)

I vetmi ndryshim thelbësor është se Perëndimi ka marrë situatën nën kontroll në Shqipëri. Ai ka monitoruar krizën, ka konstatuar arsyet artificiale të saj, i ka ofruar opozitës një plan për ta rikthyer në institucione dhe pasi është refuzuar ajo, i ka dhënë të drejtë shumicës dhe partive të tjera të hyjnë në zgjedhje.

Partitë Popullore Europiane, ku bën pjesë PD, po shikojnë mundësinë e komunikimit direkt me deputetët e Partisë Demokratike, për t’u treguar atyre se kryetari formal i tyre, Lulzim Basha, do të jetë një “person non grata” për Partitë Popullore Europiane dhe se pas përjashtimit të Viktor Orban nesër në Maltë, do të rishikohet dhe statusi i Partisë Demokratike në këtë organizatë.

Në këto kushte, partia e Berishës, partia e Gruevskit në Maqedoni, partia e Orban në Hungari etj, p bashkohen “Internacionales së autokratëve të korruptuar”, të cilët refuzojnë rregullat dhe politikën e perëndimit në vendin e tyre dhe po përpiqen të krijojnë një rend të ri “demokratik”, të cilin nuk e dikton vota, por dhuna.

Shqipëria është duke e përballuar këtë rrezik, duke izoluar Partinë Demokratike dhe ndoshta duke e nxjerrë atë nga historia pas bojkotimit të zgjedhjeve. Perëndimi në Tiranë, ndryshe nga në Maqedoni, është më i qartë dhe më i sigurtë për t’i prerë rrugën kësaj tendence të re anti-sistem. Dhe duket se kjo ka rritur nervozizmin e Sali Berishës, i cili është në mes të rrugës në planin e tij për t’i vënë flakën Shqipërisë. Dhe në mes të rrugës ka për të mbetur.

burimi: Gazeta Tema


* Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim paraqesin mendimet dhe të drejtat e autorit, nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë së Manastiri Lajm.