Aleanca veriatlantike planifikon që deri në pranverën e vitit 2018 ta pranojë Maqedoninë për anëtare fuqiplote, deklaroi për Sputnik një burim i afërt në negociatat për anëtarësimin e shtetit në NATO.

“Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg planifikon që deri në mes të korrikut ta vizitojë Shkupin dhe të bisedojë për këtë. Qëllim i NATO-s është që deri në pranverë të vitit 2018 shteti të pranohet në Aleancë”, deklaroi bashkëbiseduesi për agjencinë.

Sipas tij, SHBA-ja aktivisht punon në të.

“Ambasadori i SHBA-së në Shkup dje realizoi takim me ministren e Mbrojtjes dhe është biseduar për këtë”, ka deklaruar burimi.

Republika e Maqedonisë i ka përmbushur kushtet për anëtarësim në NATO nga viti 2008.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev të hënën do të realizojë takim me Stoltenbergun në selinë e NATO-s në Bruksel.