Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cippras javën e kaluar e ka marrë propozimin-marrëveshjen për kontestin e emrit mes Athinës dhe Shkupit, për të cilën thonë se është gjithëpërfshirëse, publikoi Ekatimerini.

Në propozim janë përfshirë shtatë pika për të cilat të dy vendet për momentin po bisedojnë, si dhe për planin e Shkupit për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Burimet e njëjta thonë se propozimi do të pranohet në tërësi siç është ose do të hidhet.

Këto pika përfshijnë përdorimin e emrit të Maqedonisë, gjuhën dhe identitetin nacional, shkruan gazeta greke.

Shkupi në disa raste është deklaruar se identiteti dhe gjuha nuk “transmetohen” siç u konfirmua në komentet e më hershme të Zaevit, i cili tha se zgjidhja duhet ta mbrojë identitetin nacional dhe dinjitetin e të dy kombeve.

Sipas paralajmërimeve, ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Koxias këtë javë duhet të vijë në Shkup, ku në takime me të do të prezantohet propozim-marrëveshja.

Kryeministri, Zoran Zaev në intervistë për magazinën gjermane Shpigell e ka hedhur mundësinë, zgjidhja kompromise e emrit të mos mund të përkthehet në gjuhë të tjera dhe të shfrytëzohet në transkriptim origjinal.

Në konferencë për shtyp me Junker gjatë fundjavës në Shkup Zaev përsëriti se për të nuk është i pranishëm emër me përcaktim gjeografik.

Në ndërkohë, nga autostrada dhe aeroporti i Shkupit janë hequr mbishkrimet “Aleksandri i Madh” që u dakordua në takimin mes kryeministrit Zaev dhe Cipras në Davos.

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”.

Greqia kërkon që Maqedonia ta ndryshojë emrin, me një emër pa përkthim, por edhe ta ndryshojë Kushtetutën, ndërkaq nga ana tjetër, Maqedonia kërkon që emrit aktual t’i shtojë mbiemër të përkthyeshëm, dhe të mos e ndërrojë Kushtetutën. Prej 5 propozimeve që u përfolën në opinionin, dy prej propozimeve më serioze për emrin e Maqedonisë janë: Maqedonia e Epërme dhe MaqedoniaVeriore.

Bisedimet vazhdojnë, në nivel ministrash, me ndërmjetësim të të dërguarit special të OKB-së, Methju Nimic, transmeton Portalb.mk.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë seMaqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili dje ishte për vizitë në Shkup.

Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE,Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital./Portalb.mk